E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtrimi i fundit i Edi Ramës për partitë e vogla

28-06-2012 / Gazeta 55

Lidershipi socialist lëshoi dje “karamelen” e fundit paraelektorale për partitë e vogla, duke ua zgjatur agoninë deri me 12 korrik, kur formalisht të përfundojë edhe reforma zgjedhore. Edhe vetë krerët e partive të vogla e dinë se kërkesa për korrektim kombëtar s’ka asnjë gjasë të realizohet në kaq pak kohë, prandaj ata po e lexojnë qëndrimin e Edi Ramës, ashtu siç është, një mashtrim i fundit, për të mbajtur peng avenirin e tyre politik, duke zyrtarizuar lënien e tyre jashtë parlamentin, edhe në 2013-n

Reforma zgjedhore, për më tepër zvarritja e saj në pretekstin se një herë kërkojnë numërim elektronik dhe herës tjetër heqin dorë, po përdoret nga Edi Rama, për “të hequr qafe” përfundimisht partitë e vogla në përgjithësi dhe aleatët e tij në veçanti.
Edi Rama, i cili ishte partizan për lënien jashtë parlamentit të Skënder Gjinushit e Paskal Milos, nuk ka pse t’ia ndiejë katër vjet më vonë për “mungesën” e tyre katër vjeçare në parlament.
Dhe për t’ua bërë më “të lehtë” pranimin e faktit se Paskal Milo e Skënder Gjinushi, nuk do e shohin më sallën e parlamentit, prej të paktën dy muajsh, ka intensifikuar mashtrimet e tij.
Jo më larg se dy muaj më parë, Edi Rama u zu ngushtë në një tryezë të organizuar nga krerët e partive të vogla parlamentare dhe joparlamentare dhe krahas debateve, përplasjeve verbale ku nuk munguan as ironitë, me gjysmë zëri u premtoi ish-aleatëve se do të firmoste propozimin e tyre për korrektimin e sistemit zgjedhor. Por, brenda ditës ndërroi qëndrim, duke shprehur skepticizëm ndaj kërkesës së vazhdueshme të aleatëve, të cilët s’duan të përsërisin gabimet e vitit 2009, kur Edi Rama i la jashtë përfaqësimit në parlament. Insistimi i të vegjëlve nënkupton më shumë hapësira në koalicionin me Partinë Socialiste, në mënyrë që partitë e vogla të mund të çojnë përfaqësuesit e tyre nga lista e kandidatëve, në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërsa tre kërkesat e ish aleatëve të Edi Ramës, të cilat ishin ndryshimi i sistemit elektoral, mënyra e ndarjes së mandateve për deputete dhe ulja në dy për qind e pragut elektoral, mëngjesin e dy muajve më parësi, morën “ok”-in e kryesocialistit, po atë pasdite, ata u ballafaquan me skepticizmin për realizimin e tyre, duke e cilësuar firmën e tij në draftin e propozimeve të të vegjëlve si, thjesht një “autograf”.
Nga këtu kuptohet karakteri i vërtetë i kryesocialistit, i cili ndryshe thotë në mëngjes dhe ndryshe në darkë; tjetër gjë u premton ish aleatëve dhe tjetër gjë u realizon.
Dhe kjo sjellje mashtruese e Edi Ramës vazhdon që prej dy muajsh, ku pretekstet i përdor për t’ju larguar kërkesave të aleatëve.
Dëshmia më e mirë ishte tryeza e djeshme e partive të vogla parlamentare, të cilat u mblodhën, diskutuan dhe ripërsëritën të njëjtat kërkesa, për të cilat dy muaj më parë, kishin marrë “dakordësinë” e Edi Ramës.
Me gjithë angazhimin e partive të vogla, pak gjasa ka që Edi Rama të respektojë ndonjë marrëveshje, pavarësisht pretendimeve, me ish aleatët e PS-së, në një kohë kur po nisin përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme, ato parlamentare të vitit 2013.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›