Fokus/2009, një vit vendimtar për Kroacinë
Southeast European Times
Duke lënë mënjanë frikat e krizës financiare, 2009 premton të jetë një vit tepër i rëndësishëm për Kroacinë, si brenda vendit dhe ndërkombëtarisht. Janë caktuar dy zgjedhje me shtetasit që do të votojnë në pranverë për të zgjedhur nëpunësit lokalë dhe përsëri në dimër për të zgjedhur një president të ri. Ato që kryesojnë axhendën ndërkombëtare janë anëtarësimi në NATO dhe procesi i pranimit në BE. Kroacia shpreson të bëhet një anëtare e Aleancës në 2009, ndërsa po përfundon gjithashtu bisedimet me Brukselin. Futja në NATO nuk pritet të paraqesë ndonjë vështirësi të posaçme: vendet anëtare të Aleancës janë tashmë në procesin e ratifikimit të dokumenteve bazë. Italia bëri kështu në 2008 dhe deri tani 15 nga 26 vende anëtare të NATO-s kanë bërë pjesën e tyre të punës. Rruga në pranimin në BE është megjithatë e vështirë. Sllovenia fqinjë ka vënë një pengesë, duke përmendur mosmarrëveshjet e ndërsjellta që vazhdojnë, në veçanti grindjen rreth gjirit Piran. Të gjitha vendet kandidate duhet të kompletojnë negociatat mbi 35 kapituj të politikave të BE përpara anëtarësimit, por Sllovenia ka bllokuar hapjen e 11 prej tyre. Krerët e BE, si komisioneri i zgjerimit të BE Olli Rehn kanë bërë çmos për të bërë të qartë se ka vend për Kroacinë në bllok, ndërsa bëjnë gjithashtu të qartë se duan që të zgjidhet mosmarrëveshja dypalëshe. Konferenca tjetër Kroaci-BE do të bëhet në fund të shkurtit. Republika Çeke, tradicionalisht një aleate e ngushtë e Zagrebit, ka marrë tani presidencën e radhës të BE. Zyrtarët kroatë janë pozitivë se homologët e tyre çekë do të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për ta vënë anëtarësimin kroat lart në axhendën e Bashkimit. "2009 do të tregojë rezultate konkrete të pozitës ndërkombëtare të Kroacisë jo vetëm nëpërmjet anëtarësimit tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB, anëtarësimit në NATO dhe planit udhëzues për t'i dhënë fund negociatave me BE deri nga fundi i vitit por nëpërmjet vendosmërisë sonë për të përmbushur të gjitha standardet demokratike, duke treguar se ne jemi gati të zbatojmë standardet e rendit të ligjit, drejtësisë sociale dhe solidaritetit," tha kryeministri Ivo Sanader në fjalimin e tij të Vitit të Ri. Duke u bërë një anëtare e NATO-s dhe e BE, Kroacia do të përmbushë një ëndërr historike që është vënë në lëvizje pothuajse dy dekada më parë, shtoi ai. Presidenti kroat Stipe Mesiç foli gjithashtu rreth pritjeve për 2009, ndonse toni i tij u shënua më i zymtë. "Në një kohë shënuar nga një krizë e tillë serioze, politika duhet të jetë më serioze se kurrë," tha ai. "Kjo do të thotë se interesat e ndryshme personale dhe presionet për të vonuar reformat e vështira por të pashmangëshme me qëllim për të fituar ca vota më shumë në zgjedhje nuk duhet të lejohen të mbizotërojnë mbi interesaat e përgjithëshme të shtetasve tanë. Prandaj, përgjegjësia duhet të jetë fjala e vitit në 2009". Në fjalën e tij, Mesiç theksoi nevojën për të mbajtur parasysh dimensionin social. "Si t'i përgjigjemi krizës tani pasi nuk u përgatitëm më mirë për të? Së pari, duke mos bërë sikur nuk e shohim atë. Pasuar nga dy rrugë të tjera: ne duhet të mbrojmë veten nga goditjet e jashtme ndërsa merremi me të gjitha burimet e brendëshme të krizës. Me pak fjalë, ne duhet seriozisht dhe urgjentisht të krijojmë kushtet për rimëkëmbjen e industrisë, prodhimit dhe eksporteve," tha Mesiç. Qeveria ka marrë ndërkaq një hap të rëndësishëm për të rritur besimin e konsumatorëve. Një plan nga bankat për të rritur normat e interesave është mbytur me Sanaderin që paralajmëron institucionet financiare për pasojat serioze po qe se vazhdojnë atë. Zagrebacka Banka kishte njoftuar se do të ngrinte normat e interesave me nga 0.5 deri në 1.4%. Megjithatë, pas konsultimeve me qeverinë, banka e prishi planin. Fillimi i 2009 solli gjithashtu disa ndryshime praktike në jetën e përditëshme të kroatëve. Sipas ligjit të ndryshuar mbi tregtinë, që hyri në fuqi në 1 janar, të gjitha dyqanet duhet të jenë të mbyllura të dielave. Përjashtim bëjnë dyqanet e bukës, stacionet e benzinës dhe dyqanet e vogla në terminalet e mëdha të autobuzave dhe aeroporte. Gjatë sezonit veror turistik, dyqanet do të lejohen të hapen të dielave përsëri. Rregulli i ri u prit me pakënaqësi nga tregtarët e shitësit. Ata thonë se ligji i ri do të prekë ndjeshëm ekonominë në një kohë kur publiku duhet nxitur të harxhojë më shumë para.