E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Bunkerizimi ideologjik i teorive shkencore

18-08-2013 / Nga Mentor Tahiri

Bunkerizimi ideologjik i teorive shkencore, fakteve historike, në përgjithësi të “të vërtetave” në shërbim të momenteve politike, ka shndërruar rrugën gjer tek e vërteta në një labirint të komplikuar per tu zgjidhur dhe të kushtueshëm në kohë, të tjerët ndërkohë po lëvizin me nxitim. E vërteta mbi te kaluaren, mund te jete gjithmonë me niansat e relatives ngase ndryshe nuk mund të shihet nga konteksti i sotëm kohorë dhe sidomos jo bardh e zi, por kur përshkrimet devijojnë skajshëm, atehere zbehin deri ne paperdorshmëri të mirat dhe sidomos mësimet që e vërteta si e kaluar mund të na sjellë për të sotmen, botërisht është e ditur historinë e shkruajnë fituesit.
Të bërit perfekt çdo gjë mbi figurat kombëtare shqiptare dhe tej-romantizimi, ka krijuar nga personazhet historike jo rrallë një gardë komediantësh pa fajin e tyre, por me fajin e injorancës shoqërore e cila boshllëkun e krijuar nga mangësitë e sotme të vlerave e plotëson me të kaluarën ideale dhe lehtësisht të paraqitshme si të tillë. Rrjedhimisht dhe papritmas dalim para aktit ku historiografia e paraqitur brenda kornizave të imponuara dhe brutalisht të vëna nën kontroll, përnjëherë bëhet subjekt i goditshëm nga një numër autorësh të huaj dhe individësh të brendshëm, duke lënë të goditur mitet që kemi krijuar për Gjergj Kastriotin, Isa Boletinin, Bajram Currin dhe jo vetëm për ta, por që i kemi krijuar për nderin e të sotmes dhe nevojën për tu mburrur.
Ne rastin e kryeheroit tonë, pa anashkaluar rastet kur disa teza sfidojnë akademitë e kllapitura në Shqipëri dhe Kosovë, opinioni u alarmua jo aq nga teoritë të cilat ashtu të plasuara nga “kundërshtarët” shkencorë dhe civilizues të kryeheroit janë mbi të gjitha naive, kurse disa sjellje rrugaçërie ishin asgjë më shumë se vepra për të cilat duhej të reagonin ata që janë kompetentë për rendin publik rrugëve, por opinioni u zgjua i tronditur nga kalimi i kufirit të mitit të paprekshmërisë. Ky mit i trashëguar nga bunkerizimi ideologjik i spikatur për periudhën e monizmit, më së paku u bënë nder personazheve historike dhe vetë shqiptarizmës.
Duke u fshehur pas heronjve romantikë, e kaluara moniste-komuniste në pushtet, kamuflonte vetëveten me “kombëtaren” e në realitet kishte të bënte më së paku me kombëtaren, si dhe duke i idealizuar bijtë e shpatës, pushkës dhe penës shqiptare, e fshihte jo-idealizmin e sistemit nga ndërdija e masave të pakënaqura nga mënyra e jetesës. Në rastin kur tezat mbesin shkencëtarisht sfiduese, u reagua bardh e zi, nga ekstremi në ekstrem pa mendime të ndërmjetme dhe pa tentativë që të kundër-argumentohen si duhet “argumentet” e tij. Ashtu siç është bërë jo rrallë në historinë shqiptare me shumë burrështetas, rasti i Mbretit Zog, At Anton Harapit apo Gjergj Fishtës të heshtur nga ne për gjysmë shekulli.
Vënia e kufijve deri ku shkenca mund të depërtojë, aq sa anti-shkencore dhe anakronike, dëmin më të madh në fakt e ka shkaktuar pikërisht tek moslejimi për të elaboruar më detajisht jo pak turbullira të mëdha historike nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar, që i bënë edhe më të pastudiueshme misteret e shumta që historia nuk i ka thënë, duke filluar që nga teoritë mbi gjenezën në kuptimin historik dhe gjeografik të brumit iliro-shqiptar të cilin na e cenojnë aq shumë, dhe sidomos vazhdimësinë e tij si një etnikum, e deri tek e kaluara jo shumë e largët. Pajtohemi mbase edhe kur ideologjia pengon, nuk mund ta trajtojmë historinë tonë pa emocione, është njerëzore, por duhet ta lemë të qetë nga emocionet sa më shumë të jetë e mundshme, ndryshe nuk na trajtojnë seriozisht. Të tjerët e kanë tejkaluar moti këtë kompleks, anglezët pa probleme trajtojnë faktet mbi inkursionet e vikingëve dhe përkëdhelin figurën e Arturit njëkohësisht. Tek historiografia shqiptare, joserioziteti në të trajtuar, por edhe jo pak i qëllimshëm apo edhe si rezultat i mosguximit intelektual, apriori ka përjashtuar nga librat çdo ves apo veprim që bie ndesh me romantikën e shkruar, apo që mund të cilësohet si dukuri e keqe varësisht si ishte konceptuar nga “etërit” monist. Deri vonë, nxënësit e shkollave tona (në Kosovë gati deri sot) kanë mësuar se një dukuri e tillë është rock muzika, e njëjta e cila gjerë e gjatë nëpër Evropën Lindore para afro gjysmë shekulli ishte frymëzim i masave pro-demokracisë, mjafton të përmendet vetëm një shembull  - “Scorpions” me  “Wind of change”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›