E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Dantja i shmangshëm

14-03-2012 / Nga Lavdrim Lita

Vepra botërore, “Komedia Hyjnore”, mrekulli e poetit fiorentin Dante Aligheri duhet hequr nga programet shkollore: ka shumë përmbajtje antisemite, islamofobe, raciste dhe homofobe. Kjo kërkesë me arsyetim të çuditshëm i ka shkuar Ministrisë së Arsimit Italiane nga grupi “Gherush 92”, një organizatë gjurmuesish shkencorë dhe profesionistësh, e cila gëzon statusin e konsulentit special të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së dhe që përhap projekte edukimi për zhvillim, të drejtave të njeriut, zgjidhjes së konflikteve. Sipas presidentes së këtij grupi afër OKB-së, znj. Valentina Sereni, e cila konsideron “Komedinë Hyjnore”, posaçërisht disa këngë të Ferrit, si fyese dhe diskriminuese në leksik po ashtu dhe në përmbajtje. Lupa e këtyre shkencëtarëve ka rënë mbi këngët XXXIV, XXIII, XXVIII, XIV. Për shembull: kënga e XXXIV-të e Ferrit, shpjegon organizata, është një pikëndalesë e studimeve nëpër shkolla. Personazhi dhe termi Judë e judejtë (hebrenjtë) janë pjesë përbërëse e kulturës së krishterë: sepse juda është për antonomazi një person fals, tradhtar (siç shfaqet Juda në librin e shenjtë të krishterëve). Prandaj rreziku, sipas kësaj organizate, është zhvendosja e figurës së judës për të gjithë hebrenjtë. 
Megjithatë jo vetëm kategoria e “hebrenjve” duhen mbrojtur me heqjen e Ferrit dantesk nga mësimi në shkolla, por kështu do të mbrohen edhe kategoria e “islamikëve”, pasi në këngën XXVIII përmendet edhe profeti Muhamed, dhe ka një dënim ekzemplar sipas fantazisë së poetit më të madh jo vetëm të mesjetës, por të të gjitha kohërave. Për ta konteksti dhe gjithësia e poezisë është vetëm një mjet për të thënë ca gjëra të shthurura. Gjithashtu organizata kërkon që të mbrohen jo vetëm homoseksualët që, sipas tyre, fyen nga poema e Dantes, por edhe “racizmi” i fjalëve të shkruara mjeshtërisht në mesjetë.
Kuptohet vetiu që ky kriter sipërfaqësor i gjërave dhe historive “politikisht korrekt” po të merre seriozisht pak letërsi do të mbetej në qarkullim.  Sigurisht një nga efektet e para në do të ishte e analfabetizimi në masë, ngase “Tregtari i Venedikut” i Shekspirit do të refuzohej të jepej në shkolla teatrosh sepse kështu nuk fyen fajdexhinjtë me origjinë hebreje. Po me veprat e Ciceronit, Horacit, Senekës, Shën Agustinit, të gjithë këta pak a shumë të terrorizuar nga proselitizmi hebre. Po me 1984 të Oruell çfarë duhet të bëjmë? Ndërsa ne tokësorët mbesim pa frymë, me siguri përkthyesi i Komedisë Hyjnore në shqip, mjeshtëri Pashko Gjeçi është duke u revoltuar në varr. Pashko Gjeçi, kolos i përkthimit të Homerit dhe Dantes në gjuhën shqip pati kaluar ferrin komunist cka e “ndihmoi” të rrëfente “ferrparajsën” e një poeti të madh si Dante Aligeri. Duke u rrëfyer rrugëtimin e tij të vetmuar në botën e të vdekurve, ai u tregoi sivëllezërve të vet poetë, qofshin bashkohorë apo kudoqofshin, se gjendja natyrale e shkrimtarit të madh është pikërisht ajo: të udhëtojë i gjallë midis vdekjes. Të pajeta shtrihen përpara tij mbretëritë, vrasësit, tiranët, orizoret, stuhitë, vetë ajri që i prodhon ato. Përbindëshat dhe rreziqet janë rrotull tij, por ai ka një përparësi: ai është i gjallë, ndërkohë që ata s’janë.
Sidoqoftë jo të gjithë e dinë se personi i jashtëzakonshëm Dante Aligeri ka qenë poet zyrtar i Shqipërisë (edhe Abisinisë afrikane) gjatë pushtimit italian.  Shkencëtarët që japin sugjerime dhe këshilla OKB-së, me siguri njohin jetën e brendshme të njeriu, por jo gjithësinë  emocioneve të përshkruara në klasikët e letërsisë botërore, një vlerat me të cilët njeriu mund të krenohet përpara çdo kafshe me gojë. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›