E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes se Gërdeci është ende i ndezur!

 Myslim PASHA

…Kur disa ushtarakë shkuan për herë të parë, në Gërdec  që të vendosnin se ku të gjenin një kthinë për të kryer ngulimin e shtratit të çmontimit, kurrsesi nuk kishin menduar se aty ata ishin në kërkim të shtratit të një vdekjeje të madhe. Apo shtratit të Prokrustit? *) Emri Gërdec, ndofta i ngacmoi aq shumë  apo nuk i preku fare, sepse puna nuk ishte se po gjendej një shtrat etj etj por për të kërkuar një strehë me urdhër të të tjerëve, për të kryer një mashtrim të madh,  në sy të shqiptarëve.

Nuk janë këta gjeneralë të sotëm që po gjykohen në këtë gjykim të pafund.  Ishin oficerë të tjerë madhorë që kryen përnjohjen e parë në vend. Por ata dhe vetëm ata, do të bënin njoftimin, se sa i përmbushte, kërkesat për atë  atë laborator  të vdekjes në anë të udhës së madhe, pranë një Aeroporti Kombëtar

Në atë luginëz, me gjelbërim korijesh kishpasë qënë e vendosur vetëm një Brigatë Tankesh në kohën e ushtrisë të stërmadhe (Ushtrisë Popullore)  me zabele dhe tunele, pastaj ca ndërtesa dhe rrugica ushtarake e një sheshi ku rreshtoheshin trupat para tankeve. Aty u shënjua ky laborator fushor.Apoish shënjuar më parë?

Ata nuk e vranë shumë mendjen, se nuk e kishin vendimarrjen e tyre, mbasi truri, siç dihej qyshkuri, ishte atje lart.

Kjo brezni gjeneralësh tanimë të djegur, (e themi edhe për ata që nuk janë të përzier si të akuzuar, por që kanë shërbyer në drejtori dhe departamente të tjerë)  si një  brezni dramatike ushtarakësh të vetasgjësuar, prej atij  municioni të  mbledhur prej ku ishte përndarë, gjithkund, në të gjithë sqetullat e gjymtyrët e këtij vendi

Një proces gjyqësor që dëshmon se sa larg jemi ndaj dhënies së drejtësisë, sa larg jemi ndaj demokracisë, sa të afërt jemi, të gatuar me vetshkrumbosjen, shpërthimin tejzgjatur të një fabrike vdekjeje, që u projektua nga politika e korrupsionit,  që i kish vënë dhe po kështu i mban nën diktat, ata gjeneralë që ndodhen në bankën e të akuzuarëve, por  edhe të tjerë oficerë madhorë, që politika i shndrron si ndoca dordolecë në duar të municionit të korruptimit shtetëror, të paparë, si këtu në Shqipëri.

Mish për top ishte një term të cilin ata e kishin përdorur aq shumë në leksionet e tyre ushtarake, të luftës dhe paqes, të gjeopolitikës, gjeostraegjise, taktikës së pushtimeve dhe mbrojtjeve aq të shumta në skemat e shtampave ushtarake stërvitore, e në këtë rast do të ish më mirë që të quhej: mish për politikë

Në këtë Shqipëri që i themi Mëma Jonë,  çuditë e gjeneralëve nuk kanë të mbaruar, mbasi sëfundi një koleg i gjeneralëve së sipërpërmendur, që Komandon Gardën e Republikës, akuzohet se ka drejtuar armën e tij njëmbëdhjetë herë në drejtim të turmës.

Gjeneralë unë e kuptoj pse e përdorni Fjalën viktimë e cila nuk është fjalë gjeneralësh nuk jeni viktimë procesi po jeni dëshmorë të politikës, të kthyer tanimë padrejtësisht në ushtarë të thjeshtë.

Kujdes se Gërdeci është ende i ndezur!  Askund nuk është shkruar Mos iu afroni kraterit! Megjithatë, të vjen afër ndjesia e tragjedisë dhe një frymë dëshpërimi, që nuk e dëshirojmë. Pse të ndodhë kështu!?

*) Në Mitologji, Prokrusti,  ishte një bandit i egër i Atikës që vriste fatkeqët, i shtrinte në një shtrat hekuri dhe iu tërhiqte krahët

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›