E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hetim Carla del Pontes për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm kundër Ramush Haradinajt”

03-12-2012 / Gazeta 55

Qeveria e Republikës së Shqipërisë kërkon zbardhjen e së vërtetës ndaj çështjes së ish-kryeministrit të Kosovës

Tirana zyrtare përshëndet vendimin e Tribunalit të Hagës, për lirimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj pas akuzave të stisura nga Carla Del Ponte dhe raporteri zviceran në KiE, Dick Marty

Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (TPNJ), për ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj pas një procesi hetimi prej kaq vitesh nën akuza të përsëritura nga ish Prokurorja e Përgjithshme e TPNJ, Carla del Ponte.
Nëpërmjet një reagimi të saj zyrtar, Qeveria shqiptare risjellë në vëmendje dhe përshëndet rishtasi qëndrimin e ish kryeministrit Haradinaj ndaj kërkesave të TPNJ, dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit dhe paraqitjen e tij para TPNJ, qëndrimin e tij ndaj thirrjes për së dyti për të njëjtat akuza ndonëse, për to ishte shpallur i pafajshëm nga TPNJ.
Sipas Qeverisë shqiptare, opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokurorëve të famshëm të TPNJ, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Millosheviçit si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të TPNJ  dhe shkarkimin e tyre nga çështja.
Në bazë të këtyre deklaratave Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’i kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe ndërmarrin një hetim të pavarur ndaj ish Prokurores së TPNJ Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për  rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish kryeministrit të Kosovës  Ramush  Haradinaj dhe ju kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje.
Qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të prokurores Carla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›