E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Edvini s’ndal lobingun politik kundër zhvendosjes së kazinove në periferi të kryeqytetit

29-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ndërmarrë një nismë “gjysmë të fshehtë” për të bllokuar zhvendosjen e kazinove nga kryeqyteti. Për motive të dobëta financiare, kre i opozitës Rama u ka premtuar disa pronarëve kazinosh të kryeqytetit se do të bëjë sa ka në dorë për të penguar largimin e tyre nga rrugët dhe rrugicat e kryeqytetit për në vendin e caktuar nga Bashkia Tiranë, pra, në zonën e ish-uzinës së Traktorëve, në Shkozë. Strategjia e Ramës, ajo e cila iu është premtuar disa pronarëve kazinosh në hall, është se do të ngrejë grupe interesi që do të lobojnë, edhe me zhurmë në media, për të kundërshtuar  vendimin e datës 6 shtator të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e kazinove.
Madje, në disa takime “gjysmë të fshehta”, një prej tyre të zhvilluar së fundmi në kazinonë e shokut të tij në Maminas, mësohet se Rama është përbetuar të zhvillojë një fushatë dhe kundër taksës së përkohshme të vendosur me 6 shtator nga Bashkia Tiranë për të nxitur zhvendosjen e këtij aktiviteti në zonën e përcaktuar. Niveli i taksës së përkohshme do aplikohet i diferencuar, sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës. Ndër të tjera në vendimin për “Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës deri në datën 31.03.2013” sanksionohet se për të gjithë subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojërave të fatit. Madje, sipas vendimit, subjektet e kategorisë së lojërave të fatit, kazino dhe kazino elektronike, që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve, do të përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse. Kështu, subjektet që do të zhvendosen brenda datës 31 dhjetor 2012, do të rimbursohen në vlerën 100 për qind të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse. Ndërsa subjektet që do të zhvendosen brenda datës 31 mars 2013, do të rimbursohen në vlerën 50 për qind të pagesës. Për lojërat e tjera të fatit si, baste sportive, baste për gara në pistë, lotari kombëtare, bingo tradicionale dhe bingo televizive, niveli i taksës do të jetë 5000 lekë/muaj.
Por këto ndryshime  thelbësore të menaxhimit të punëve të Bashkisë Tiranë nuk janë pëlqyer nga pronarët e kazinove të “standardit Rama”, të cilët kanë nxitur personin që u ka dhënë leje të vendosin në territorin e Bashkisë Tiranë (nga viti 2000 deri në 2011) të ngrejë grupe interesi “pro-kazinove” për të bllokuar zhvendosjen e kazinove në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në Shkozë.
Mbrojtja e investimit të kazinove në Tiranë është mundësia e fundit e Ramës për të mbledhur “sadakanë” e mirënjohjes për lejimin e lojërave të fatit në kryeqytet. Grupi e Miliarderëve në PS  nuk e ka për hiç gjë, që nga një anë të mbështesë me fjalë të varfrit duke taksuar të pasurit me taksën progresive dhe nga ana tjetër mbron kazinotë ku luajnë të pasurit dhe humbin të varfrit.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›