Benedikti XVI: “Ungjillëzimi i ri është bir i Koncilit”
Ati i Shenjtë kryeson Meshën e mbylljes së Sinodit të Vatikanit
“Drita e fesë është pasuri e çmuar për jetën e njeriut”: kështu u shpreh Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës, me të cilën u mbyllën punimet e Sinodit të 13-të të përgjithshëm, kushtuar ungjillëzimit të ri. Në homeli, Papa ripohoi se Kisha e ka për detyrë të ungjillëzojë e se është edhe detyrë e gjithë të krishterëve ta kumtojnë Ungjillin me gëzim. Ndërmjet lutjeve të besimtarëve, edhe një lutje në arabisht, për paqen në Siri e në mbarë Lindjen e Mesme. Ishte Bartimeu, modeli, që Benedikti XVI u tregoi bashkëkohasve. Njeriu, që ka humbur shpresën dhe kuptimin e jetës. I verbëri, për të cilin flet Ungjilli i Markut, ai, që humbi dritën e syve, apo dritën e fesë e, duke qenë i vetëdijshëm për këtë humbje të madhe, ia besoi vetveten Zotit. Rifitoi, kështu, plotësisht dinjitetin njerëzor e u bë dishepull i Jezu Krishtit: “Bartimeu përfaqëson njeriun, i cili ka nevojë për dritën e Hyjit, dritën e fesë, që ta njohë me të vërtetë realitetin e të ecë në rrugën e jetës. Themelore është të pranosh se je i verbër, se ke nevojë për këtë dritë, përndryshe mbetesh përgjithnjë në errësirë”.
Por Bartimeu nuk është vetëm i verbër; është edhe lypës, njeri që i ka humbur të gjitha pasuritë. Gjendja e tij të bën të mendosh, tha Papa, të fton të reflektosh se ka pasuri tejet të çmuara për jetën tonë, jo materiale, që edhe mund t’i humbasim: “Bartimeu mund të përfaqësojë ata, që jetojnë në viset e ungjillëzimit të lashtë, ku drita e fesë u mek, njerëzit u larguan nga Zoti e nuk besojnë më se është i domosdoshëm për jetën: janë këta, njerëzit, që humbën pasurinë e madhe, ranë nga dinjiteti i lartë – jo ai ekonomik, e as i pushtetit tokësor, por ai i krishterë – humbën orientimin e sigurtë e të patundur të jetës e u bënë, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, lypës, njerëz, që shtrijnë dorën në kërkim të kuptimit e jetës. Njerëz që kanë nevojë për ugjillëzimin e ri”.
Ungjillëzimi i ri përfshin gjithë jetën e Kishës, theksoi Benedikti XVI, duke pasur parasysh Sinodin e sapopërfunduar. Tri, janë vijat kryesore baritore, theksoi Papa: e para ka të bëjë me rëndësinë e sakramenteve dhe thirrjen për të ecur në rrugën e shenjtërisë:
“Protagonistët e vërtetë të ungjillëzimit të ri janë shenjtorët; ata flasin një gjuhë të kuptueshme për të gjithë me shembullin e jetës e me veprat e dashurisë së krishterë”.
Në rend të dytë, ungjillëzimi i ri duhet të lidhet ngushtë me missio ad gentes, të shoqërohet me një hov të ri misionar, me protagonistë veprimtarët baritorë dhe besimtarët shekullarë: “Gjithë njerëzit kanë të drejtë ta njohin Jezusin e Ungjillin e tij; e me këtë përkon edhe detyra e të krishterëve, e mbarë të krishterëve: priftërinj, rregulltarë e laikë, për ta kumtuar Lajmin e Mirë”.
Së fundi, nëvizoi Papa, Kisha tregon vëmendje të veçantë për të pagëzuarit jo praktikantë, me dëshirën e madhe që t’i ndihmojë për ta rizbuluar gëzimin dhe bukurinë e fesë: “Kisha përpiqet të përdorë dhe metoda të reja, duke u kujdesur edhe për gjuhën e re, në përshtatje me kulturat e ndryshme të botës e duke e propozuar të vërtetën e Krishtit me frymë dialogu e miqësie, me themel në Zotin, që është dashuri”.
Nga ana tjetër, përfundoi Ati i Shenjtë, ungjillëzuesit e rinj kanë një karakteristikë të veçantë: gëzimin e zemrës, që buron nga takimi me Krishtin. Prej këndej, ftesa, në gjurmët e Shën Klementit të Aleksandrisë, për ta shlyer harresën e së vërtetës; injorancën, e për ta kundruar Zotin e njëmendtë. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi përsëri për Sinodin, duke e cilësuar si çast të fuqishëm bashkimi kishtar, që krijon kushtet për të soditur bukurinë e vetë Kishës, me vështirësitë e shpresat e saj, në botën e sotme.
Duke ripohuar kërkesën për kumtimin e ri të Ungjillit në shoqëritë e shekullarizuara dhe impenjimin për risimin shpirtëror të vetë Kishës, Papa shpjegoi se do të përpiqet të hartojë një sintezë organike dhe do të japë udhëzime për të gjitha propozimet e Sinodit.
E në përfundim, Ati i Shenjtë kujtoi edhe Vitin e Fesë, përuruar më 11 tetor, pesëdhjetë vjet pas Koncilit II të Vatikanit: “Rikujtimi i stinës konciliare ishte tejet i favorshëm; na ndihmoi të ripranojmë se ungjllëzimi i ri nuk është shpikja jonë, por është lëvizje, që u zhvillua në Kishë, në mënyrë të veçantë duke nisur nga vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur u duk qartë se edhe vendet e traditës së lashtë kristiane qenë bërë tokë misioni”.
Marrë nga Radio Vatikani