E Diel, 1 Nëntor 2026

Reportazhi i “France 24”: “Qeveria po bën më të mirën për integrimin e vendit në BE”

29-10-2012 / Gazeta 55


“Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian” është titulli i antenës prestigjioze informative të shtetit francez, e cila e fokuson vëmendjen e vet, që nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90, e deri tek marrja e statusit kandidat. Reportazhi citon referencën e kryeministrit Berisha se mbi 84 për qind e shqiptarëve e mbështesin integrimin në BE
Deklarata e “France 24”: “Edi Rama thotë se Shqipëria nuk ngjan me një shtet evropian...”
 
Në një reportazh për Shqipërinë, gazetari Kristofer Robit e nis rrugëtimin e tij në Durrës, qytetin e dytë më të madh të Shqipërisë ashtu siç shprehet dhe ai. Si një vend ish-komunist, Shqipëria ka qenë një zonë e panjohur e Evropës dhe kjo për faj të izolimit të vendosur nga ana e regjimit totalitar. Specifikë e veçantë e reportazhit është edhe pikënisja e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Evropës dhe rrëzimit të regjimit komunist, Lëvizja Studentore e dhjetorit ‘90. Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë, ka përjetuar një tranzicion të vështirë, por sot ndodhet shumë pranë sfidave të integrimit.
Në reportazh theksohet se në 10 tetor të këtij viti, ditë kur në Bruksel u paraqit progres raporti për vendet aspirantë për anëtarësim në BE, të gjitha televizionet në Shqipëri kanë transmetuar drejtpërdrejt konferencën për shtyp të Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule. Në fjalën e tij Fule i ka rekomanduar Komisionit Evropian që të bëjë Shqipërinë një nga vendet anëtare të BE-së dhe ta zyrtarizojë këtë duke dhënë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor.
Në të njëjtën ditë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mori progres raportin nga ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi dhe foli bashkë me të në një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Ndihem shumë mirënjohës, dhe ju falënderoj shumë është një hap i rëndësishëm në rrugën tonë historike. Zoti ambasador duhet të theksoj se në 100 vjet përpjekje, nga Shqipëria dhe Shqiptarët, erdhëm në një periudhë të tillë lirie kur shqiptarët nuk kanë asnjë pengesë për bashkëpunim drejt integrimit evropian”, u shpreh Berisha.
Tashmë parlamentit të Shqipërisë i kërkohet të plotësojë edhe disa kritere të tjera për të vazhduar në rrugën e euro-integrimit. Por për gazetarin Kristofer Robit, opozita ndan një mendim të ndryshëm për atë nëse Shqipëria është ose jo gati për marrjen e statusit kandidat.
“Nëse bëjmë një krahasim të vendit që nga koha kur ka marrë pushtetin pozita dhe tani, ne nuk kemi të bëjmë me një proces zgjedhor më të lirë. Nuk kemi një sistem drejtësie më të lirë dhe më të ndershëm. Dhe shteti ynë nuk ngjan me një shtet evropian”, deklaron Rama. Pjesë e dokumentarit është dhe një intervistë me kryeministrin Sali Berisha i cili e përshkruan integrimin e vendit në BE, si interesin më të madh të shqiptarëve.
Pyetjes se, pse është kaq e rëndësishme për Shqipërinë që të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian, kryeministri Berisha i përgjigjet se, e ardhmja më e mirë për shqiptarët është ajo e integrimit në BE.
 “Më shumë se 84 për qind të qytetarëve mbështesin këtë proces, dhe mendoj se ata janë njerëz të zgjuar. Sepse ata besojnë dhe kanë të drejtë të besojnë. Në këtë proces ata bëhen më të lirë, më të sigurt, dhe fitojnë më shumë prosperitet. Për këtë arsye qeveria është e detyruar të bëjë më të mirën për të punuar mbi këtë proces”, thotë kryeministri Berisha.
Përpjekjet e qeverisë shqiptare për ndryshime e reforma, vlerësohen në reportazh si një domosdoshmëri e rritjes se nivelit ekonomik.
Me këtë synim gazetari Kristofer Robit ndalet tek autostrada që tashmë ka marrë emrin Rruga e Kombit. Çdo fundjavë nëpërmjet saj shumë turistë nga Kosova vijnë në Durrës e pjesë të tjera turistike të Shqipërisë. Infrastruktura bashkëkohorë ka kontribuar në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të dy vendet tashmë kanë kapërcyer çdo lloj pengese me anë të kësaj rruge lidhëse që kishte nisur të ndërtohej që në vitin 2007 dhe që u përurua dy vjet më vonë nga  liderët e dy vendeve.
Në reportazh vlerësohet veçanërisht zhvillimi i mediave në 20 vjet që nga rrëzimi i diktaturës, Investimet në këtë sektor, por edhe pasioni e puna e gazetareve që me punën e tyre sjellin një imazh real të Shqipërisë.
 
 
Potencialet turistike/“National Geographic” shkrim dedikuar Shqipërisë
 
Prestigjiozja “National Geographic”, i ka kushtuar një shkrim të veçantë zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Shkrimi i titulluar: “Shqipëria, në qendër të vëmendjes”, nënvizon faktin se, “në muajin nëntor të këtij viti, teksa Shqipëria që feston një shekull pavarësi, vend ballkanas me stabilitet, çmohet për debutimin turistik botëror. Përballë ngushticës së Otranton, në jug të Italisë, Shqipëria ofron pamjen e dhe mundësitë për pushime klasike mesdhetare. Autori citon një banore të kryeqytetit, e cila saktëson se Deti Jon shtrihet në pjesën jugore të rivierës shqiptare, ku kodrat e mbuluara me ullinj takojnë detin e kristaltë. Ajo rekomandon plazhe të vogla si Pasqyrat apo Livadhi. Vend të veçantë në shkrim zë edhe Butrinti, pjesë e trashëgimisë botërore, një vend i mbushur me histori, për të cilin poeti romak Virgjili e ka quajtur si “Troja e vogël”
Por, Shqipëri nuk ofron vetëm detin e kristaltë. “National Geographic” shkruan se malet në pjesën veriore të Shqipërisë, në parkun kombëtar të Thethit, ofrojnë një pamje mahnitëse. Fshati Theth, sipas shkrimit, dëshmon për të kaluarën e vështirë, ku kullat ishin strehë për gjakësit. Por, tani këto kulla shërbejnë si hane, ku përjetohet mikpritja e famshme shqiptare.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›