Fokus/Ende të paqarta njoftimet se Irani po i afrohet bombës bërthamore
Raporti i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) thotë se Irani e vazhdon pasurimin e uraniumit, por e ka ngadalësuar zgjerimin e aktiviteteve të veta. Raporti thotë se Irani ka grumbulluar gjithsejtë 1.010 kg uranium të pasuruar, duke e shtyrë më tej pragun teorik, të cilin e parashihnin ekspertët. Ata thonë se procesimi i mëtejmë mund t'i japë Teheranit mjaft uranium të pasuruar të prodhojë bombë bërthamore. Për të dërguarin e Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Ali Asghar Soltanieh, raporti më i ri i agjencisë tregon se programi bërthamor i Teheranit është paqësor, në vijë me rregullat e agjencisë. Megjithatë, për ekspertët e proliferimit, raporti dërgon sinjale tjera. David Albright, ish-inspektor bërthamor i Kombeve të Bashkuara, është kryetar i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington. Albright i tha Radios Evropa e Lirë se raporti është pesimist. "Për institutin tonë, ky është më shumë se një kryelajm. Irani vazhdon të ecë përpara duke u aftësar për kapacitetin e armëve dhe pritet që ta arrijë atë deri nga mesi i këtij viti", thotë Albright. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Irani kishte prodhuar 839 kg uranium të pasuruar deri në nëntorin e kaluar, dhe prej atëherë edhe 171 kg tjerë. Agjencia vlerëson se Irani ka akumuluar 1.010 kg uranium të pasuruar deri në muajin janar. Albright thotë se sasia e këtillë është e mjaftueshme për të prodhuar një armë bërthamore të vetme. Por, edhe në qoftë se Irani vendos të ecë drejt prodhimit të bombës bërthamore, zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe ekspertët e armëve thonë se ai do të ballafaqohet me pengesa teknike. Daryl Kimball, drejtor i Asociacionit për Kontrollin e Armatimit në Uashington, i ka thënë të përditshmes britanike "Guardian" se Irani nuk mund të mbetet pa u zbuluar nëse e përdor uraniumin e pasuruar për të prodhuar bombën. Zyrtarët iranianë vazhdimisht kanë ripërsëritur se aktivitetet bërthamore të vendit të tyre janë vetëm paqësore. Megjithatë, Teherani ka bërë shumë pak që të bindë bashkësinë ndërkombëtare për vullnetin e mirë lidhur me aktivitetet bërthamore. Raporti i agjencisë gjithashtu thotë se Irani e ka ngadalësuar procesin e instalimit dhe operimit të centrifugave, të cilat janë kyçe në procesin e pasurimit të uraniumit. Albright thotë se arsyeja me gjasë është politike, e jo teknike. "Ata kanë 6 mijë centrifuga, që mund t'i vënë në veprim, dhe prej tyre operojnë vetëm 4 mijë. Por, ata vazhdojnë të ndërtojnë edhe të tjera. Prandaj, nuk do të thosha se e kanë ngadalësuar, por do të thosha se pasurimi i uraniumit është në një nivel më të ulët", pohon Albright.
Netanjahu: Irani, në krye të sfidave me të cilat po përballet vendi/Kryetari i partisë së djathtë, Likud, Benjamin Netanjahu, i ngarkuar sot me formimin e qeverisë së re në Izrael, e vendosi Iranin në krye të sfidave me të cilat po përballet vendi i tij. "Izraeli po kalon një periudhën shumë të rëndësishme dhe duhet të përballet me sfida kolosale. Irani po përpiqet të pajiset me armën bërthamore dhe përbën kërcënimin më të madh për ekzistencën tonë që prej luftës së pavarësisë së vitit 1948", deklaroi ai pasi ishte ngarkuar zyrtarisht nga presidenti Shimon Peres për të formuar qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 10 shkurtit. Netanjahu denoncoi gjithashtu "forcat terroriste të Iranit që na kërcënojnë në veri", duke e hedhur fjalën për Sirinë dhe për Hezbollahun libanez. "Që prej disa dekadave, Izraeli nuk është përballur me sfida kaq të rrezikshme. Përgjegjësia që na bie është të garantojmë sigurinë për vendin tonë, paqen me fqinjët tanë dhe unitetin brenda vendit", shtoi ai. Ai nuk përmendi hapur palestinezët dhe idenë e mbështetur nga amerikanët "dy shtete për dy popuj". Në frontin e brendshëm, Netanjahu është shprehur në favor të një qeverie të bashkimit "sa më të gjerë që të jetë e mundur". "I bëj thirrje Tzipi Livnit dhe Ehud Barakut, kryetarët e partive Kadima dhe partia laburiste për të shtrënguar rradhët dhe për të bashkëpunuar. Ju do të jeni të parët që do të takoj për të formuar një mazhorancë lidhur me formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar sa më të gjerë që të jetë e mundur". "Kemi qëndrime të ndryshme, por duam të punojmë së bashku për të mirën e shtetit. Mund të gjejmë një rrugë të përbashkët për ta çuar Izraelin drejt sigurisë, zhvillimit dhe paqes", deklaroi ai. Likudi fitoi 27 nga 120 vende që ka Knesseti në zgjedhjet legjislative. Por, ai u sigurua gjithashtu për mbështetjen e tre partive të ekstremit të djathtë dhe të dy partive ultraortodokse ose një shumice prej 65 deputetësh. Sipas ligjit izraelit, Netanjahu duhet t 'ia paraqesë kabinetin Knessetit për një mocion besimi, brenda 28 ditëve, që mund të zgjatet me 14 ditë. Tani për tani Livni dhe Baraku kanë kundërshtuar hyrjen në një qeveri të drejtuar nga Netanjahu. Sipas analistëve, këtë herë Netanjahu parashikon të bëjë gjithçka për të mos lejuar që të jetë krejtësisht i varur nga aleatët e ekstremit të djathtë në një qeveri "të linjës super të ashpër", politika e së cilës veçanërisht ndaj palestinezëve rrezikon të krijojë tensione me administratën amerikane të Barak Obamës. Pikërisht, për të shmangur këtë skenar, Netanjahu është i gatshëm të tregohet "bujar" me Tzipi Livnin duke i propozuar Kadimës, sipas medias, Ministritë e Jashtme dhe të Mbrojtjes