E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit politikë konfirmojnë rreshtimin e tyre “pro” PD-së, në zgjedhjet e 28 qershorit

Në një ceremoni në përkujtim të 20 shkurtit 1991, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë, Skënder Qendro vlerësoi rolin dhe angazhimin e lidershipit Berisha në dënimin e krimeve të komunizmit dhe konfirmoi mbështetjen e ish-të përndjekurve, edhe për zgjedhjet e 28 qershorit

TIRANE - Ish të përndjekurit politikë, deklarojnë votën e tyre për PD-në. Kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politik Antikomunistë, Skëndër Qendro deklaroi dje me rastin e 18-vjetorit të shembjes së simboleve të diktaturës komuniste dhe rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha, se ish-të përndjekurit politikë gjithmonë kanë pasur përkrah tyre një forcë politike, Partinë Demokratike, që gjithmonë ka mbrojtur fort të drejtat dhe liritë e tyre, të mohuara nga diktatura e egër komuniste për 45 vjet me radhë. Skënder Qendro u shpreh me bindje të sigurt se ish-të përndjekurit politik, në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit do të votojnë pa mëdyshje, për Partinë Demokratike dhe qeverinë aktuale.
Ai vlerësoi rolin dhe angazhimin e lidershipit Berisha në dënimin e krimeve të komunizmit, dhe mbrojtjen e të drejtave të persekutuarve.
Kjo deklaratë u bë dje, gjatë përkujtimit të ditës së triumfit të lirisë dhe të shembjes së simboleve të komunizmit, nga “Grupimi Dhjetor ‘91” në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Në ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit dhe rënies së bustit të diktatorit, ishte e pranishme edhe kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, e cila mbajti një fjalim përshëndetës. Gjatë fjalës së saj Topalli u shpreh se “në këtë 18 vjetor të jashtëzakonshëm, këtë datë të rrëzimit të mitit monstruoz, ne po e festojmë duke i thënë Shqiptarëve që ne kemi mbajtur premtimin më të madh”. “Kemi bërë të mundur  që Parlamentet  e 26 vendeve anëtarë të Atlantikut, të na japin besimin dhe votën për në NATO”, u shpreh midis të tjerave Topalli.
Kryetarja e Kuvendit citoi më tej se “parlamenti po kryen përpjekje të rëndësishme t’i japë dimensionet që meriton historisë së dhimbshme të persekutimit dhe kalvarit të gjatë të vuajtjeve të elitës dhe mijëra shqiptarëve, nga regjimi i egër i diktaturës”.
Kryetari i “Grupimit Dhjetor ‘90”, Bislim Ahmeti, u ndal në fjalimin e tij edhe në kujtimin jetës dhe veprës së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, si dhe mijëra  studentë dhe pedagogë, të cilët morën pjesë jo vetëm në protesta e demonstrata, por dhe në rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.
Ndërsa drejtori i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, u shpreh se “me gjithë diktaturën e pashembullt makabër në Shqipëri, të gjitha këto kurorëzohen me 20 shkurtin, sakrificën e studentëve, pedagogëve që drejtuan lëvizjen studentore për lirinë e vendit tonë”.
Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90 çoi në krijimin e të parës parti opozitare pas gati një gjysmë shekulli diktaturë dhe hapjen e rrugës për vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›