Policia sulmon akademinë “Marubi”, studentët dhe pedagogët ngujohen në mbrojtje të saj
Policia ka mësyrë dje një tjetër institucion të informacionit, dijes dhe kulturës. Bëhet fjalë për Akademinë e Filmit “Marubi”.
Me urdhër të kryeministrit, forcat e komisariatit nr. 4 kanë mbërritur në dyert e kësaj akademie, pasi kishin paralajmëruar më parë akademinë për t’u larguar që aty.
Në krye të operacionit ka qenë kreu i komisariatit nr. 4, Ismail Shkreta, i njëjti që ishte në krye të operacionit për dëbimin e gazetës “TemA” nga ambientet e redaksisë.
Në mënyrë banditeske ata kanë mësyrë ambientet e kësaj akademie, por kanë hasur në rezistencën e studentëve dhe pedagogëve të kësaj akademie.
Kreu i këtij komisariati ka urdhëruar përdorimin e dhunës dhe situata ka rrezikuar që të precipitojë keq. Është dashur që të ndërhyjë nëndrejtori i policisë së Tiranës, Gjergj Jorgo, që tensioni të ulej disi.
Megjithatë, studentët dhe pedagogët nuk kanë lënë godinën e tyre duke deklaruar se do qëndrojnë aty. Prej orësh ata ndodhen brenda duke mos pranuar që të dalin jashtë.
Policia ka rrethuar godinën dhe provokon personat që janë brenda. Kush del jashtë, e ka të vështirë të kthehet më. I njëjti skenar si te gazeta “TemA” po aplikohet dhe te kjo akademi.
Avokatët e kësaj akademie thonë se kjo punë nuk mund të zgjidhet me dhunë policore, por në rrugë ligjore, siç e kërkon një shtet demokratik.
Vetë themeluesi i kësaj akademie, Kujtim Çashku, ka shpjeguar thelbin e këtij konflikti.
“AFMM u hap me VKM Nr. 652, dt. 30.09.2004 dhe me VKM Nr. 74, dt. 4.02.2005, iu dhanë si fillim nga qeveria në përdorim për 10 vjet pa shpërblim një sipërfaqe prej 200 m2 në Kinostudio.
Kjo sipërfaqe shërbeu si fillesë e hapjes së shkollës “Marubi” dhe rikonstruktimit të plotë të godinës së shkatërruar dhe mjedisit funksional përreth saj.
Që në atë kohë ne i kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme qeverisë legjitimimin e plotë të hapësirës ku na u lejua të bënim investimet tona.
Ne nuk kemi kërkuar kurrë të drejta pronësie mbi pronën publike, por kërkuam thjesht administrimin dhe ruajtjen e saj në mënyrë që askush të mos i ndërronte destinacionin, si të godinës, ashtu dhe të sipërfaqes funksionale të saj.
I kërkuam qeverisë një shtesë VKM mbi VKM ekzistuese, sepse, sipas Ligjit për Arsimin të Lartë, në 200 m2 është e pamundur të zbatohet programi akademik.
Nga viti 2004 deri më sot, kemi pritur një zgjidhje të arsyeshme të qeverisë Berisha.
Në AFMM, Orafilm së bashku me qeveritë perëndimore kanë investuar mbi gjysmë milioni Euro, duke krijuar një institucion krejtësisht të pavarur dhe tërësisht perëndimor.
Për fat të keq, kërkesave tona të vazhdueshme nuk iu dha asnjë zgjidhje, por nisi një gjueti shtrigash e paparë dhe një status terrori antikulturor permanent”, - tha Çashku.
“Zotërinj qeveritarë, ju doni të prishni një gjë që është ndërtuar, kur ende sot në Kinostudio janë mbi 60 % e sipërfaqeve dhe objekteve të braktisura, të vjedhura e shkatërruara, me qëllimin e vetëm për të shuar çdo gjurmë historike që lidhet me identitetin kulturor e kombëtar. Ju zotërinj, të pushtuar nga një urrejtje patologjike, po bëni objekt sulmi Akademinë e Filmit “Marubi” dhe jo pafundësinë e garazheve, lavazheve dhe godinave të dyllosura”, - vijoi më tej ai.
Të pranishëm gjatë një konference për shtyp që u zhvillua në pritje të mësymjes së policisë kanë qenë dhe intelektualë të ndryshëm dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë. Këta të fundit pritet të shprehin dhe qëndrimin e tyre. Brenda dy muajsh ky është një tjetër rast ekstrem, kur policia nxjerr me dhunë nga ambientet një institucion të informimit dhe dijes.
Ministria e Ekonomisë: “Marubi” nuk ka kontratë
Ministria e Ekonomisë ka deklaruar dje se pretendimet e shkollës “Marubi” nuk qëndrojnë. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, me anë të kësaj deklarate për shtyp, kërkon të sqarojë opinion publik lidhur me të pavërtetat që janë hedhur sot në media për marrjen e ambienteve të shkollës “Marubi”.
METE sqaron se shkollës që njihet me emrin Akademia e Filmit&Multimedias “Marubi”, i janë dhënë 200 metra katrorë sipërfaqe, pa shpërblim, për të zhvilluar aktivitetin e saj tregtar. Pa asnjë kontratë dhe marrëveshje, ky subjekt në mënyrë të paligjshme ka zaptuar edhe rreth 4500 metra të tjera sipërfaqe, ku futet godina dhe ambientet rrethuese.
Gjatë këtyre viteve, Akademisë së Filmit&Multimedias “Marubi” i është kërkuar sistematikisht të ndjekë procedurat e rregullta ligjore për lidhjen kontratës së qiramarrjes me Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, ashtu si të gjitha subjektet e tjera që kryejnë veprimtaritë e tyre në godinat dhe trojet shtetërore. Por kërkesa e METE-s gjithmonë është refuzuar nga Akademia e Filmit&Multimedias “Marubi” dhe drejtuesi i saj Kujtim Çashtu.
Drejtoria e Albafilmit, ambientet e së cilës janë zaptuar pa asnjë të drejtë nga ky subjekt, po ndjek të gjitha rrugët ligjore për zgjidhjen e këtij problemi”, - thuhet në reagimin e METE.
Xhufi: Vendimi për “Marubi”-n, me interesa të dyshimta ekonomike
Nënkryetari i LSI, si dhe anëtari i Komisionit për Edukim dhe Arsim, Pëllumb Xhufi, prezent në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, ku policia po përpiqet t'i nxjerrë jashtë nga godina, deklaroi se ky vendim është absurd dhe politik. “Është absurd vendimi për të nxjerrë jashtë nga godina këta studentë dhe drejtues, pasi akademia “Marubi” është e akredituar nga qeveria”. Ky vendim, sipas tij, “është me interesa të dyshimta ekonomike dhe nuk përjashton mundësinë që qëndrimi të jetë politik”. Duke folur në emër të LSI, Xhufi deklaroi se kjo parti “shpreh solidaritetin me studentët dhe pedagogët për të denoncuar goditjet dhe qëndrimet antikulturë të qeverisë, si dhe të vetë Ministrisë së Kulturës”. Sipas Xhufit, ky rast i paprecedent do të ketë jehonë negative në botë, pasi në këtë akademi janë bërë investime të huaja dhe janë bërë miq regjisorët më të njohur të botës.
ORA NEWS
KSHH: Të zgjidhet gjithçka në rrugë ligjore
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuar që çështja e shkollës “Marubi” të zgjidhet me mirëkuptim ose në rrugë ligjore. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit mësoi mes medias elektronike për ngjarjen e ndodhur në Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, ku forca të shumta të policisë tentuan të hynin në ambientet e saj duke kërkuar lirimin e mjediseve.
U lidhem me telefonon me z. Ahmet Prençi, i cili bëri me dije se në vendin e ngjarjes janë dërguar drejtues të lartë të policisë dhe premtoi respektimin e ligjit nga ana e policisë.
Pa hyrë në detajet e çështjes, KSHH i bën thirrje policisë të shmangë çdo konfrontim me studentët e pedagogët dhe të mos përdoret dhunë ndaj tyre.
Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit ekzistojnë të gjitha mundësitë që konflikti në një qendër arsimore dhe kulturore të zgjidhet me mirëkuptim ose në rrugë gjyqësore”, - thuhet në njoftimin e KSHH.