Fokus/Fatlumi i presidencës dhe fatzinjtë e pronave
Të tmerruar nga përqendrimi i vëmendjes së të gjithë opinionit publik mbi vendimin e afërt të presidentit të republikës për Ligjin e Dosjeve, kabineti i Bamir Topit u investua dje në një shashkë, që s’e hutoi publikun, por veç konfirmoi momentin e vështirë të presidencës. Një përfaqësi e Shoqatës së ish-pronarëve, ende të trazuar në betejën e tyre të drejtë, u thirrën me urgjencë në presidencë, a thua se presidenti i republikës kishte zgjidhur të gjitha çështjet ekzekutive që shoqërojnë këtë problematikë dhe do t’u jepte atyre në dorë tapitë.
Apeli që Fatlumi (Nurja) i presidencës u kishte dërguar përfaqësuesve (ende ekonomikisht) të brishtë të ish-pronarëve përfaqëson drejtpërdrejt një sjellje antiinstitucionale që po bëhet normë në zyrat e kryetarit të shtetit. Për çështjen e pronave ekziston një paketë e plotë ligjore e të tjera akte ligjore e nënligjore pritet të dalin nga qeveria (apo edhe parlamenti), e në këtë kontekst, roli i presidencës është nul. Edhe nëse marrim për të mirëqenë kontributin publik që duhet të japë kryetari i shtetit në zgjidhjen e çështjeve me një ndjeshmëri të lartë, siç është problemi i pronave, takimi i djeshëm e mesazhet zhurmuese që presidenca nxori prej tij ishin sërish një keqpërdorim flagrant institucional që institucioni i Fatlumit u bënte fatzinjve të pronave.
Presidenti i Republikës duhet të grishë institucionet ekzekutive e ato legjislative që sa më shpejt ta zgjidhin këtë problematikë përmes zbatimit të paketës ligjore në fuqi, apo edhe të nxisë qeverinë e parlamentin për përmirësime të tjera në këtë drejtim, por s’mund t’i shndërrojë takimet e veta publike në tryeza ku i bëhet karshillëk legjislacionit në fuqi. Përtej kësaj sjelljeve antiinstitucionale, ajo që s’durohej ishte keqpërdorimi i pronarëve, për t’i përdorur si zhurmues ndaj një tjetër shtrese, ish-të përndjekurve politikë.
Takimi i djeshëm me urgjencë në presidencë nuk u shpëtoi dot vëzhguesve, megjithatë shpresohet që shoqata e pronarëve të ketë perceptuar pozicionin joinstitucional që pala tjetër kishte në atë takim, në mënyrë që herë tjetër mënyrat e zyrat ku duhet trokitur të gjenden më qartë. E kam idenë se kjo do të ishte edhe rruga më e lehtë e më e frytshme. Afërmendsh atje ka më pak fatlumë, që s’ia dinë kuptimin funksionit që mbajnë.