E Shtunë, 31 Tetor 2026

“President, çlirohu, dekreto ligjin e dosjeve”

Studentët e Universitetit të Tiranës dhe të Universitetit të Shkodrës peticion për Bamir Topin

TIRANE - Studentë nga rrethe të ndryshme, të cilët ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës i kanë kërkuar ditën e djeshme Presidentit të Republikës dekretimin e ligjit të dosjeve i cili është miratuar nga Parlamenti. Nën moton "President çlirohu", studentët e nga  rrethe ndryshme të vendit i janë drejtuar ditën e djeshme Presidentit të Republikës, Bamir Topi për dekretimin e ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”.
Në peticionin e firmosur nga studentët e Universitetit të Tiranës i kërkohej Presidentit Topi, që të jetë jo vetëm garant i Kushtetutës, por edhe dekretues i një ligji që i hap rrugën dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Studentët e Universitetit të Tiranës nën moton “Duam të jetojmë të lirë, në një vend demokratik, pa remishinencat e krimeve të komunizmit, që ka ende varre të hapura dhe shpirtra në eter”, i bënë apel Kreut të Shtetit, që të mos bëhet pengesë për ndarjen e Shqipërisë nga këto hije makabre.
Peticionit të studentëve të Universitetit të Tiranës, i janë bashkuar dhe 1.476 studentë, të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, të cilët gjithashtu firmosën peticionin në adresë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi. E njëjta kërkesë vjen dhe nga studentët e Universitetit të Shkodrës, të cilët i kërkojnë Kreut të Shtetit dekretimin sa më shpejt të ligjit për hapjen e dosjeve, miratuar ditë më parë nga Kuvendi.
Në peticionin e studentëve të Universitetit të Shkodrës, theksohej se, “e ndiejmë për detyrim moral dhe qytetar që të ngremë zërin në emër të atyre që nuk mund të flasin, eshtrat e të cilëve nuk dihet se ku janë”, thuhet në peticionin, drejtuar presidentit Topi. Nënkryetari i Unionit, Halit Hasa, duke përcjellë dhe qëndrimin e qytetarëve shkodranë është shprehur se “jemi ne studentët që kemi sjellë demokracinë në këtë vend dhe demokracinë do ta vendosim përsëri. Ky peticion nuk është partiak, por i pavarur dhe shpresojmë të gjejmë mbështetje e duhur në këtë drejtim”, deklaroi nënkryetari i Unionit, Halil Hasa.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›