E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet më ish të përndjekurit. U premtoi mbështetje të plotë institucionale

Presidenti i Republikës, Bamir Topi shprehu sot mbështetjen e plotë institucionale dhe njerëzore për shtresën e ish-të përndjekurve, në drejtim të integrimit të saj në spektrin politik dhe shoqëror të vendit. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i shtetit u takua sot me drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, kryetarin Adem Allçi, Sekretarin e Përgjithshëm të saj, Besim Ndregjoni dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, Tomor Aliko. Bashkëbiseduesit në këtë takim i paraqitën z. Topi qëndrimin e Shoqatës mbi ligjin "për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë", që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Ata shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të këtij ligji, i cili sipas tyre ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë, zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Drejtuesit e dy Shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›