E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Mbi dështimin e medias Telerama

“Telerama” është revista franceze e dedikuar programeve televizive, e botuar nga grupi mediatik i njohur “Vie-Le Monde” që para dy ditësh ka dalë në shitje, bashkë me gazetën dhe faqjen e internetit, sepse nuk përballon dot konkurrencën e tregut informativ. “Le Monde” është një gazetë me linjë editoriale afër qendrës së majtë franceze, e cila deri para pak kohësh ka pasur si pronarë vetë gazetarët, por gazetarët janë krijuar për shkrime dhe jo për të bërë marketing e menaxhim, dhe për rrjedhojë kjo gazetë rrezikon tashmë të falimentojë. Edhe pse është një nga gazetat me të cituara nga mediet, në vitin 2003 u përball me një libër “La face cachée du Monde” (Fytyra e panjohur e “Le Monde”) të dy gazetarëve Pierre Péan dhe Philippe Cohen, që kritikuan se shkrimet e “Le Monde” nuk kishin objektivitet dhe zbuluan lidhjet e dyshimte financiare, çka kishte tronditur neutralitetin e medies.
Sido që të jetë, rrezikimi i grupit “Télérama” në Francë tregon edhe njëherë anët e errëta të medies, të atyre medieve që nuk deklarohen hapur në linjën e tyre editoriale. Kësisoj, nëse do të donim të hiqnim një paralele me medien shqiptare, padyshim do të gjenim një mori çështjesh me emrin simbolik “Télérama”. Falimentimi i disa medieve të majta nuk ka asnjë lidhje me trysninë e pushtetit apo ngarkesat financiare që kanë këto media me tatim-taksat, por problemi i tyre është investimi simbiotik me politikën dhe roli i tyre nënshtrues, pa pasur parasysh kërkesat e audiencës. Falimentimi i këtyre medieve gjatë fundvitit 2009 dhe fillimvitti 2010 ishte kryesisht pasojë e fushatës zgjedhore të maj-qershorit 2009. Gjatë këtyre zgjedhjeve Edi Rama krijoi për herë të parë precedentin e gatimit të gjellës politike të paketuar, duke ua dërguar televizioneve kronikën e raportimit mbi aktivitetet elektorale të tij dhe të Partisë Socialiste me kaseta filmike të regjistruara dhe të mistifikuara nga stafi i zyrës së tij elektorale. Reciprokisht Partia Demokratike për të mos mbetur prapa e ndoqi duke e gëlltitur këtë silazh mediatik, pa i përtypur arsyet. Reporteret e lajmeve dhe kamerat e tyre jo vetëm që nuk ftoheshin më të raportonin dhe mbulonin veprimtaritë elektorale, por refuzoheshin dhe nuk lejoheshin të filmonin kur kërkonin ta bënin një gjë të tillë me mjetet dhe syrin e tyre ndaj realitetit fiktiv të fushatës së Ramës. Edicionet e lajmeve u gjendën (dhe gjenden ende sot) përpara një vështirësie serioze kur, në zbatim të ligjit, duhej t’i jepnin kohën e mjaftueshme Partisë Socialiste, pa mundur ta refuzonin furnizimin me pamje dhe zë nga vetë zyra elektorale e kësaj partie. Një gjë e tillë u pa edhe me protestat e fundit, si dhe me grevën e urisë përpara kryeministrisë ku kamerat kishin një regji të specializuar partiake, të kontrolluar deri në detajet më intime, bile nga burime të afërta me aktorë të një emisioni humoristik në një kanal të majtë, plot tre skeçe u censuruan me urdhër të drejtuesve, të cilët po ashtu kishin marrë urdhër nga selia e PS. Këto gjëra po dalin në dritë së fundmi, me akuza rrëqethëse.
Kuptohet vetiu se eksperimenti “TeleRama” me modifikime alla-shqiptare kërkoi të shtypte profesionin e gazetarisë, çka do të thoshte kontrollin e medies në formën e shantazhit të lejeve të ndërrimit dhe licencave bashkiake të qeverisura nga socialistët. Edi Rama ia arriti ta kthente median shqiptare në një tele-dRamë. Raporti mono-maniakal i Edvin Ramës me mediat është një raport i paprecedentë, bile shumë i rrezikshëm, jo vetëm për mediet të cilat i kontrollon deri në detaje (edhe titujt e aperturës dërgohen me sms), por edhe për daljen në pah të natyrës së tij censuruese e autoritariste, derisa filloi trukimin e kronikave të fushatës duke nxjerrë jashtë loje kredibilitetin e medies. Ai është njeriu dhe a-politikani që kontrollon mediat me dorë diktatori për të paraqitur dhe trukuar imazhin e vet. Më saktë Edi Rama është vetëm një produkt mediatik. Po ta lexosh me imtësi karrierën e Edi Ramës lehtësisht mund të arrish konkluzionet se përgjithësisht është një kryevepër e mediokritetit, i paaftë, pa vizion, me akuza të forta për korrupsion me lejet e ndërtimit. Ndonëse karriera e tij politike ka ecur vetëm dhe thjesht për shkak të mediave, ose me saktë Edi Rama i ka shfrytëzuar dhe përdorur këto media për të “shitur” veten tek publiku, jo edhe aq për punë apo vizionin e tij, sesa me marifete të tjera qysh në zanafillë biçim snobizmash dhe vulgaritet modernistesh nëpër ekrane të lira për të “fituar” vëmendjen e publikut.
Në raportin paraprak të monitorimit të medieve nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR, (www.osce.org/albania/documents), tre nga televizionet kryesore në vend kanë favorizuar në përmbajtje Partinë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Gjithashtu në spektrin e medieve të shkruara Ramës në krye të PS-së nuk i mungoi mbështetja e hapur nga një numër të përditshmesh të rëndësishme. Raporti i tij “berluskonian” me mediat është e keqja më e vogël, me ndryshimin se të paktën Silvio Berluskoni ka edhe kulturën e punës, dhe pragmatizmin si biznesmen (ia ka nisur nga zeroja), çka është arsyeja kryesore pse votohet nga qytetarët italianë tash sa vite. Për TeleRamën është shkruar më pas sesa Edvinin si figurë mediatike, për të cilin ka shumë për të folur si tek mungesa e vizionit, vakuumi në ide e program qeverisës, autoritarizmi, paaftësia për të ofruar, jo vetëm një program, por as një ide në linja të përgjithshme se çfarë do të bënte ai konkretisht.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›