Trajtim i veçantë shkencor i mërgimit dhe integrimit të shqiptarëve në Venedik
Libri i Lucia Nadin, “Shqiptarët në Venedik. Mërgim dhe Integrim 1479-1552”, “55”, Tiranë 2008,f 255.
Studiuesja italiane Lucia Nadin, pas publikimit të punimeve të shumta me tematik nga historia mesjetare shqiptare, si dhe pas zbulimit dhe përgatitjes për botim të Statuteve të Shkodrës, kohë me parë ajo u shfaqë para lexuesve dhe studiuesve shqiptarë edhe me librin, “Shqiptarët në Venedik. Mërgim dhe Integrim 1479-1552”, duke trajtuar dhe analizuar me mjaftë përpikëri dhe përkushtim mërgimin dhe integrimin e shqiptarëve në Venedik.
Trajtimi i këtij problemi në librin në fjalë përfshin periudhën kohore prej vitit 1479, përkatësisht pas rënies së Drishtit dhe të Shkodrës nën sundimin osman, deri në vitin 1552, vit i cili, siç shpjegon autorja në hyrje të librit shënon përmbylljen e një procesi të integrimi të popullsisë shqiptare në Venedik.
Brenda këtij harku kohor autorja duke u mbështetur kryesisht në dokumente arkivore, dhe duke u thelluar në fakte dhe analiza, vë në pah duke i gërshetuar me një mjeshtri të rrallë njërën me tjetrën dy segmente mjaft të ndërlikuara mërgimin dhe njëkohësisht integrimin e shkodranëve dhe të drishtianëve në rrjedhat shoqërore, politike, ekonomike e kulturore në Venedik. Të gjitha këto, studiuesja Lucia Nadin me zotësinë vërtet prej një studiueseje të mirëfilltë, i ka mbarështuar në kuadër të katër kapitujve si:”Luftërat dhe ikja e madhe”, “Paqja dhe kujtesa”, “Puna dhe integrimi”, “Kronika në krijimin letrar”.
Kapitulli i parë ”Luftërat dhe ikja e madhe”, për të cilin njëherit mendojmë se e përbën edhe thelbin e problematikës së trajtuar në këtë libër, paraqet në mënyrë të përmbledhur luftën e cila u bë edhe shkaktare që pas rënies së Shkodrës dhe të Drishtit popullsia e këtyre dy qyteteve të mërgoi në Venedik. Duke e përshkruar në mënyrë sintetike luftën e Shkodrës, autorja vë në dukje se Venediku për ti dhënë fund një lufte tepër të gjatë dhe të dëmshme për tregtinë e saj vendosi që të hyjë në bisedime me turqit ku si rrjedhojë e këtyre bisedimeve qyteti i Shkodrës kaloi në duart e turqve. Më tej autorja me plot të drejt konstaton se pas rënies së Shkodrës, për popullsinë e këtij qytetit dhe të qyteteve fqinje filluan ditët e eksodit, që do të thotë të mblidhje një grusht plaçkash, të niseshe drejt bregut të detit, të merrje anijen e t’i drejtoheshe bregut tjetër të Adriatikut me destinacion Venedikun.
Si pasojë e eksodit në fjalë ku popullsia e Shkodrës dhe e Drishtit të cilat qytete janë edhe objekt trajtimi i këtij libri, u detyruan që të shkojnë në Venedik, studiuesja Nadin me mjaft përkushtim i qaset dhe nuk lë pa përmendur edhe mikpritjen të cilën e hasën nga ana e venedikasve njerëzit e ardhur përtej Adriatikut siç i quan ajo popullsinë shqiptare të vendosur aso kohe në Republikën e Venedikut.
Në vazhdën e këtyre të dhënave studiuesja Nadin në mënyrë të veçantë ndalet të gratë të cilat ishin kryesisht të vejat e luftëtarëve të rënë në rrethimet e viteve 1474 dhe 1479, të cilat me të shkuar në Venedik gëzuan një mbrojtjeje dhe mbështetje të posaçme.
Krahas integrimit të këtyre grave në jetën e përditshme Studiuesja Nadin nuk anashkalon edhe virtytet e larta që i karakterizonin këto gra, të cilat siç potencon ajo gjatë shekullit XVI do të ktheheshin në një shembull ndershmërie për shoqërinë e moralin venecian. Për të forcuar akoma më shumë këtë të dhënë ajo shton se në vitin 1554 u botua në gjuhën latine një përmbledhje me jetën e personaliteteve të shquara të historisë venedikase.
Në atë vepër e cila u kushtohet grave të shquara, një faqe e veçantë i’u kushtohet edhe grave shkodrane të cilat personifikohen si frymëzuese të besnikërisë ndaj atdheut. Madje për to thuhet se gjatë gjithë jetës së tyre ato gra kanë ruajtur një sjellje që meriton veçse lavde.
Hapësirë e veçantë në libër i’u kushtohet edhe burrave shkodran dhe atyre drishtian, të cilët pas dorëzimit të qyteti në duart e turqve kaluan në Venedik. Për shkak të qëndrimit të tyre deri në fund të luftës dhe për hir të trimërisë së treguar me këtë rast, ajo këta burra me plot të drejt i quan si “besnik të pa tundur”. Nga të dhënat që autorja na ofron për këta burra del qartë se edhe ata gëzuan respektin dhe mikpritjen nga Republika e Venedikut. Sipas saj ishte në përgjegjësinë e qeveritarëve që të gjenin vende të lira dhe të punësonin shqiptarët e ardhur nga Shkodra dhe Drishti.
Valët e emigrimit sollën në Venecie edhe njerëzit e fesë. Këtë valë të emigrimit, studiuesja Lucia Nadin e shtjellon në kuadër të nëntitullit Klerikët. Në këtë botim autorja vend të veçantë i ka kushtuar edhe shumë çështjeve që kanë të bëjë me integrimin e shqiptarëve në fusha të ndryshme të jetës, e veçanërisht me një përkushtim të veçantë ajo i qaset inkuadrimit dhe kontributit të tyre në rrjedhat kulturore. Këtë problem studiuesja e elaburon në kapitullin e dytë “Paqja dhe kujtesa”. Vend të rëndësishëm në libër zë edhe trajtimi i profesioneve të ndryshme që ushtronin shqiptarët në Venedik, të cilat autorja i trajton në kuadër të kapitullit “Puna dhe integrimi”.
Nga listat e shumta të cilat flasin për profesionet që u ushtruan nga shqiptarët që mërguan në Venedik, vihet re se profesionet që më së shumti i ndeshim janë ato të tregtarit të çikërrimave, heqësit të mëndafshit, qethësit, endësit fanellatës,rrobaqepësit, prodhuesit të xhupave,etj.
Krahas këtyre, ata ushtronin edhe disa profesione të tjera si atë të nallbanëve, të opingarëve, të peshuesve dhe të doganierëve, profesione të cilat siç ve në dukje studiuesja Nadin, Shkodranët e shumtë që mërguan në Venedik me siguri i sollën me vete. Lidhur me këtë, me tej ajo shton se Senati venedikas më 1479, në detyrën e matësve d.m.th të peshuesve emëroi disa shkodran. Emërimi i tyre në këtë detyrë nga ana e senatit u bë për faktin se ata morën parasysh aftësitë mjaftë të avancuara të shkodranëve në këtë aspekt. Njëherazi vend i veçantë në libër i është kushtuar edhe aspekteve të tjera të cilat lidhën ngushtë me aktivitetet e të mërguarve në Venedik pas rënies së Shkodrës. Në këtë drejtim autorja nuk lë pa përmendur dhe trajtuar as çështje tjera të rëndësishme që iu referohen integrimit dhe kontributit të shkodranëve dhe drishtianëve në jetën e përditshme.
Duke u mbështetur në të dhënat e shumta arkivore, autorja në librin në fjalë ka trajtuar edhe kontributin e shqiptarëve në fushën e krijimtarisë letrare. Për lexuesin e në veçanti për studiuesin interes paraqet edhe shtojca e cila është e pasuruar me ilustrime të shumta, të cilën autorja e ka paraparë si të rëndësishme dhe të domosdoshme për ta përmbyllur librin. Duke e përfunduar këtë vështrim, mund të konkludojmë se libri “Shqiptarët në Venedik. Mërgim dhe Integrim 1479-1552”, i studiueses Lucia Nadin, për nga përmbajtja e të dhënave si dhe për nga trajtimi i thukët që iu bëhet çështjeve të rëndësishme që lidhen me mërgimin dhe integrimin e popullsisë shqiptare në Venedik, përben interes jo vetëm për opinionin shkencor por edhe më gjerë duke na dhënë një tablo të plotë për sfidat dhe peripecitë e shumta me të cilat ata u përballën, në të njëjtën kohë na sjellë edhe tërë gamën e sukseseve dhe të arriturave në fusha të ndryshme të jetës.
Dhe krejt në fund e ndiej për obligim që të përgëzoi shtëpinë botuese “55” për botimin e këtij libri me vlera të rralla shkencore qoftë për shkak të përgatitjes për botim ashtu edhe për shkak të përkthimit të shkëlqyer në gjuhën shqipe të bërë nga studiuesi i mirëfilltë i periudhës mesjetare shqiptare Prof. dr. Pëllumb Xhufi.