Konsensus ndërkombëtar për heqjen e vizave

Samiti i Sarajevës konfirmon njëzëri perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke ripërsëritur angazhimin për heqjen e vizave për shqiptarët, për shkak të përmbushjeve teknike. Procesi s’do të ndikohet nga çmenduritë antievropiane që mund të ndërmarrë këtë verë, i dëshpëruari në krye të PS-së
U mbajt dje në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës, takimi i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, lidhur me perspektivën e integrimit të vendeve të rajonit, organizuar nga Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian. Zyrtarët e lartë të Brukselit thanë njëzëri se dyert e BE-së janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Serbia janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, por pika unifikuese e tyre është angazhimi konkret për të aderuar në familjen e madhe. Në mbledhje u theksua hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës i cili përfaqëson një fazë të re në procesin e ndërtimit europian dhe siguron instrumentet dhe mjetet për të forcuar rolin e tij si një aktor global. BE-ja përsëriti angazhimin e qartë për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili mbetet esencial për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e cilësuan takimin e Sarajevës si një lajm të mirë për të ardhmen evropiane të Ballkanit. Deklarata në përfundim të takimit - Samiti mbështet vendimin e KE-së për liberalizimin e vizave me Shqipërinë/Deklarata e përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian e nënshkruar dje në Sarajevë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, mbështet vendimin e Komisinit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Ministrat e Unionit vlerësuan se Shqipëria ka plotësuar kërkesat e Komisionit Evropian dhe se vendimi është plotësisht i drejtë dhe në përputhje me vullnetin e Bashkimit Evropian. Shefat e diplomacisë evropiane theksuan gjithashtu se aspirata e integrimit të vendeve të rajonit, duhet të vazhdojë në progres të qartë me reforma dhe standarde. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. BE-ja konfirmon nevojën për kushtëzim të drejtë dhe rigoroz në kuadër të procesit të Stabilizim-Asociimit dhe në përputhje me konsensusin e rinovuar mbi zgjerimin e aprovuar nga Këshilli i Europës në Dhjetor 2006”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të BE. Në deklaratën presidenciale të miratuar pas mbylljes së takimit theksohet se “Bashkimi Evropian sërish dhe pa asnjë dilemë është i përkushtuar për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që mbetet kusht kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni”. Në Samit është përshëndetur synimi i BE-së për të zgjeruar procesin e liberalizimit të regjimit të vizave për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, kur për një gjë të tillë të jenë përmbushur kushtet. Rrjedhimisht, është përshëndetur vendimi i Komisionit Evropian për regjimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës. Bashkimi Evropian ka verifikuar nevojën e kushteve të drejta dhe rigoroze në kuadër të procesit të Stabilizimit dhe Asociimit dhe në harmoni me konsensusin e ripërtërirë për zgjerimin, që ishte miratuar në dhjetor të vitit 2006. “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për përmbushjen e kritereve dhe kushteve në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Përparimi i çdo vendi do të varet nga meritat e secilit prej tyre”, thuhet në deklaratën e miratuar. Në mënyrë të veçantë, vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në lidhje me shtetin e së drejtës, siç janë reformat administrative dhe gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto çështje janë thelbësore për një demokraci dhe e ekonomi funksionale dhe kushtëzojnë në një masë të madhe procesin e hyrjes në BE. Pjesëmarrësit inkurajuan palët e interesuara për të bërë përpjekje maksimale në adresimin e çështjeve të hapura bilaterale në shpirtin Europian. Pjesëmarrësit theksuan prioritetin e rëndësishëm të kompletimit të procesit të pajtimit në zonën e Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrësit mirë pritën iniciativat e fundit të lavdërueshme për këtë qëllim. Këto përpjekje duhet të bëhen në të gjitha nivelet-qeveritare, gjyqësore dhe shoqëria civile. Pjesëmarrësit lavdëruan iniciativën e OJQ-ve për të punuar për pajtimin nëpërmjet themelimit të një komisioni rajonal për të kërkuar dhe thënë të vërtetën. Pjesëmarrësit përshëndetën qëllimin e Bashkimit Europian për të shtrirë liberalizimin e vizave tek të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të jenë plotësuar kushtet. Në këtë kontekst, ata përshëndetën propozimin e Komisionit për të shtrirë regjimin pa viza tek qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ky takim u mbajt mbi sfondin e recensionit global ekonomik i cili ka prekur edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në kuadër të përpjekjeve të rajonit për të aplikuar politika makroekonomike dhe financiare të dizenjuara për të parandaluar kriza të ardhshme dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik global të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm. BE-ja do të vazhdojë ti ndihmojë për të lehtësuar impaktin e krizës dhe për t’u përgatitur për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Implementimi i reformave të lidhura me BE-në mbështet përpjekjet e këtyre vendeve në këtë drejtim. Në këtë kontekst, mund të përcaktohet dhe të arrihet aktivisht një rimëkëmbje rajonale dhe një strategji zhvillimi që duhet të ndjekë parametrat kryesorë të strategjisë së BE-së të vitit 2020, bazuar në njohuritë dhe risitë dhe duke pasur parasysh karakteristikat specifike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE-ja përsëriti mbështetjen e saj të plotë për vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për të intensifikuar ritmin e reformave. BE-ja shpreson që Ballkani Perëndimor të lëvizë drejt fazës së ardhshme në procesin e pranimit, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe kushteve të rëna dakord. Anëtarësimin në BE i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet objektivi ynë i përbashkët. Shqipëria dhe Bosnja shkuan në Takimin e Sarajevës pak ditë pas propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave të udhëtimit për qytetarët e tyre në hapësirën “Schengen”. Kurse Kosova ka ende rrugë për të bërë drejt integrimeve europiane, ndonëse konsiderohet si një hap pozitiv ftesa dhe pjesëmarrja ne tryezën e bisedimeve përkrah vendeve të rajonit. Në këtë takim kanë marrë pjesë 48 delegacione – ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të lartë të BE-së, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, SHBA-ve, Rusisë, Turqisë dhe organizatave ndërkombëtare. Në kumtesën e Departamentit të Shtetit, thuhet se me këtë samit sërish konfirmohet mbështetja e SHBA-ve dhe BE-së për integrime euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
...