E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Qeveria “Rama”, kabinet personal – vlerave dhe figurave me kontribute u është treguar dera

05-08-2013 / Gazeta 55

Edi Rama shkon përpara shqiptarëve me një kabinet qeverisës ‘personal’, pa asnjë program, ide dhe platformë, thjeshtë e vetëm që ca punë të tyret t’i kryejnë mirë. Kush mendon se kjo qeveri do jetë qeveri e punëve dhe halleve të shqiptarëve, gabon dhe rëndë madje. Analizën e emrave të kësaj qeverie mund ta bëjë kushdo, i majtë dhe i djathtë dhe domosdo do të arrijë në të njëjtin konkluzion; “kjo nuk është qeveri e socialistëve, as e të majtëve – por është një qeveri klienteliste e ndërtuar mbi bazën e rrethit të ngushtë të bashkëpunëtorëve”. E majta tradicionale, ajo që përbën boshtin e të majtës shqiptare nga protagoniste e zhvillimeve të politikës së përditshme, sot duket e lënë në aneks dhe jashtë çdo ndikimi. Në zgjedhjet e 23 qershorit aleatët kontribuuan në fitoren e PS me mbi 100 mijë vota, ose e përkthyer në mandateve, 4-5 deputetë të cilët shkuan për llogari të partisë më të madhe opozitare. Sikurse ka patur edhe një draftmarrëveshje para dhe paszgjedhore mes PS dhe partive të vogla. Rama s’e njohu këtë vlerë, as kontributin e aleatëve të majtë, të cilët pa u menduar dy herë u tregoi derën. Jo vetëm nuk përfshiu në qeveri figura të së majtës politike si Paskal Milo apo Skënder Gjinushi, të cilët edhe sot e kësaj dite i quan bashkëpunëtorë të Fatos Nanos, por njëkohësisht edhe një pjesë të boshtit majtist brenda PS-së, të atij që ka mbetur aty jo për shkak të vlerave të tyre të çmuara majtisto-propagandistike, por se janë “djem të urtë dhe pa zë”. Për Pandeli Majkon, Ben Blushin, Bashkim Finon, Arta Daden, Valentina Leskajn apo dhe Fatmir Xhafajn, mjafton keqpërdorimi politik që u bën Rama, jo në mbrojtje të idealeve majtiste, por thjesht e vetëm për të denigruar kundërshtarin kur ai e ndjen në pikë të rrezikut. Fakti që edhe sot e kësaj dite Edi Rama e personifikon boshtin e të majtës me emrin e Fatos Nanos, dhe vazhdon t’i quajë “njerëz të Nanos” Milon, Gjinushin, Majkon, Blushin, Finon, Daden, Leskajn dhe Xhafajn do të thotë se ai është drejt krijimit të një formacioni antimajtist, një celulë e personalizuar që s’do të ketë lidhje me xhaketat e vjetra. Kësisoj, e majta tradicionale dhe Edi Rama janë në pikën e divorcit. Por kjo s’ndalet me kaq. Rama është “divorcuar” prej kohës me votuesit e majtë – socialistë dhe ata kurrsesi s’i sheh si forca e mbijetesës së tij politike, përsa kohë rreth vetes ka të rreshtuar sekserët të cilët në forma të ndryshme arrijnë t’i sigurojnë atij komoditetin dhe privilegjin e të qenit në krye të PS. Nëse e majta tradicionale nuk është përfshirë në qeverinë e re, atëherë çfarë i bie të jetë qeveria e pas shtatorit? Nëse e majta tradicionale s’e gjen veten në kabinetin “Rama”, çfarë lidhje kanë socialistët e thjeshtë, të cilët kanë votuar PS-në e Ramës në 23 qershor, me qeverinë e ardhshme?

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›