Ministrat e Ramës, të pazotët e punëve të Shtetit
Ministrat e oborrit të Ramës janë papërvojë drejtuese, të pamësuar me punë Shteti, do zbatojnë urdhrat e verbra të parapolitikës. Kërkesat që populli t’ju thotë se çfarë duhet të bëjnë në ministri mban erë bolshevizmi. Dhe filozofia e ministrave të Ramës në qeverisjen e vendit përmblidhet tek ushtari i mirë Shvejk, “ore ç’më duhet mua, ç’bëj unë”
Njoftimet e shpallura nga ministrat e rinj të Edi Ramës që u kërkojnë fansave në rrjetet sociale t’ju shprehin dëshirat sesi të qeverisin është sa e padëgjuar aq dhe e çmendur. Ata janë pa objektiva pune, pa idenë sesi do të qeverisin për 300 ditë dhe pas një viti do jemi këto duke shkruar për premtime të pambajtura. Një shembull, ministri me portofol Policie, Sajmir Tahiri ka shkruar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook”, që fansat ti shprehin atij se çfarë policie duan, se çfarë shteti duan, sesi të qeverisë një ministri kaq të rëndësishme. Padyshim ai duhet të pyesë ekspertët e fushës nëse nuk di çfarë të bëjë dhe jo të pyesë fansat në “facebook” sepse aty komentojnë shqiptarë dhe jo shqiptarë, të aftë dhe të paaftë dhe ndikimi i ministrit nga idetë e fansave mund të jetë e padobishme për sigurinë kombëtare. Kuptohet vetiu qytetarët shqiptarë dhe jo të huaj iu besuan qeverisjen e vendit të majtëve ndërsa rilindësit e Ramës janë të paqartë në ditën e tyre të parë të punës. Në fakt, shumë pak prej ministrave të rinj të Edi Ramës kanë një librezë pune të hapur në shtet. Ndërsa ministrat Sajmir Tahiri, Erjon Veliaj, Ditmir Bushati, Milena Harito, Bled Cuçi dhe Lindita Nikolli, nuk kanë një libreze pune të vulosur çka sinjalizon se nuk kanë asnjë eksperiencë drejtuese të punëve publike. Duke marrë Sajmir Tahirin në lupë shikon sesi ministri i Brendshëm në veprimtarinë e tij profesionale si jurist ka të regjistruar dhënien e disa leksioneve në ca universitete private dhe asgjë tjetër me rëndësi. Në shtator Sajmir Tahir do të drejtojë ministrinë që ka në varësi Policinë e shtetit dhe me ca kredencialesh kjo nuk dihet. Po ashtu Erion Veliaj, që ka bërë jetë OJQ-je dhe në çështjet shtetërore nuk ia ka haberin fare. Madje Edi Rama na ka thënë se Erjon Veliaj do të na japë Mirëqenien Sociale. S’po flasim këtu për ministren e administratës publike dhe Telekomunikacionit, Milena Harito-Koleka, që punë në shtetit shqiptar ka vetëm 6 mujorin në Bashkinë e Edi Ramës. Po ashtu ministrja e ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni nuk e ka haberin për Turizmin apo Zhvillimin Urban sepse karriera e saj profesionale bazohet në studimet e çështjeve sociale dhe barazisë gjinore. Padyshim zonja ministre Gjermeni ka mangësi elementare në çështjet e Turizmit dhe Zhvillimit Urban dhe njohuritë e saj në punët e drejtimit lenë për të dëshiruar. Nuk duhet shumë mend që Edi Rama ka krijuar një qeveri më pikëpyetje porsa i përket ekspertizës qeverisëse. Pasuritë shtetformuese të PS, ku ka deputetët ish-kryeministra si Pandeli Majko apo Bashkim Fino, ose deputetë ish-ministra Arta Dade, Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Blendi Klosi, etj. janë lënë në hije e harresës së madhe. Rama i frikësoi këtë personalitete me faktin se po të bëheshin ministra nuk do të ishin deputetë dhe kjo i frenoi aspiratat legjitime. Ndërsa ministra janë bërë 12 persona që kanë hyrë në PS kur kryetar PS-ja tashmë ishte Edi Rama dhe karrierën e tyre ia dedikojnë të gjithën atij. Ndaj edhe po ishin as ministar dhe as deputetë nuk do të ishte ndonjë humbje e madhe për ta. Kësisoj edhe “mirënjohja” e tyre klientelishte do të shfaqet në format e një servilizmi të pashoq sepse janë aq të paftë për të dalë në sipërfaqe saqë do të detyrohen të përgjërohen dhe përkulen ndaj çdo kritike apo urdhri. Edi Rama nuk kërkonte ministra që karrierën dhe autoritetin në parti e kishin fituar falë meritës së tyre, por falë zemërgjerësisë shtinjake të Ramës. Të vetmit ministra që kanë një farë eksperience në drejtim janë Shkëlqim Cani, ministër i Financave, i dalë nga kuzhina e Ramiz Alisë dhe Arben Ahmetaj, ministri i Fatos Nanos. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, pavarësisht aftësive të tyre të pakta, të gjithë janë ushtarë të bindur të Ramës. As edhe një që të ketë qenë rival i Ramës apo qe ti ketë dalë ndonjëherë kundër. Ata do të jenë ministra të një kryeministri ekscentrik që më shumë do të japë spektakël sesa do të punojë. Padyshim qytetarët kërkojnë një qeveri më të mirë pavarësisht bindjeve politike, në fund fiton vendi dhe buxheti familjar dhe shëndeti. Por kur e fillojnë me mos mbajtjen e premtimeve akoma pa u votëbesuar qeveria kuptohet se çfarë mund të presësh nga këto ministra oborri.
...