Bashkia e Tiranës: Tolerancë zero ndaj ndërtimeve pa leje
Florenc Hoxha: Të gjitha ndërtimet do shemben brenda 90 ditëve
Bashkia e Tiranës përsërit edhe njëherë apelin drejtuar qytetarëve që të mos ndërtojnë pa leje si dhe të mos bien pre e mashtrimeve të Partisë Socialiste, pasi çdo ndërtim brenda perimetrit të qytetit të Tiranës, nuk do të tolerohet. Sikurse, Bashkia e Tiranës bën të ditur se, e vetmja rrugë dhe rruga më e shkurtër për të ndërtuar në qytetin e Tiranës është pajisja e tyre me lejen përkatëse Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka vijuar dje aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në Tiranë. Pas shqetësimit të banorëve, Inspektorati ka prishur një ndërtim pa leje që cenonte hapësirën publike në afërsi të shkollës “Andon Zako Çajupi”. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor ka bërë të ditur se brenda 90 ditëve do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje ndërsa subjektet dhe personat që kanë ndërtuar pa leje do të njoftohen 24 orë para ndërmarrjes së aksionit për prishje. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Florenc Hoxha ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj qytetarëve të mos ndërtojnë pa leje pasi siç po e shohin çdo ditë do të ketë tolerancë zero ndaj këtyre ndërtimeve. “Sot ne po i përgjigjemi thirrjes së qytetarëve, banorëve të këtij pallati, të cilët patën një ankesë të drejtpërdrejtë në Inspektoratin Urbanistik dhe denoncuan këtë rast abuziv, të një ndërtimi pa leje i cili cenonte hapësirën e përbashkët të këtyre banorëve. Gjej rastin për të ripërsëritur edhe një herë thirrjen qytetarëve dhe banorëve të Tiranës që e vetmja rrugë dhe rruga më e shkurtër për të ndërtuar në qytetin e Tiranës është pajisja e tyre me lejen përkatëse. Pasi nga ana jonë do të marrim të gjitha masat për të goditur objektet informale dhe për t’i vendosur ato në kushtet e ligjshmërisë. Ne jemi në vëzhgim të të gjithë territorit, territori është nën mbikëqyrjen tonë dhe ne do të godasim dhe do të parandalojmë çdo veprim antiligjor në lidhje me fushën e ndërtimtarisë” - tha Hoxha. Inspektoriati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka paralajmëruar qytetarët që të mos ndërtojnë pa leje dhe të mos bien pre e mashtrimeve të eksponentëve të lartë socialistë për legalizimin e këtyre pronave, pasi çdo ndërtim pa leje në perimetrin e Bashkisë së Tiranës do të prishet. Në fakt, para dhe pas zgjedhjeve Tirana u përball me një furi ndërtimesh pa leje, anekënd lagjeve të kryeqytetit, duke zënë hapësirat publike, trotuaret dhe jo në pak raste edhe rrugicat mes pallateve. Kjo situatë erdhi si pasojë e premtimeve të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë fushatës zgjedhore, se ndërtimet pa leje në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë do të legalizohen, madje shkoi edhe më tej, kur premtoi legalizim falas. Sot, sikurse është konfirmuar, çdo premtim i tij, edhe ai për legalizimet është një mashtrim i pazakontë, pasi asnjë ndërtim pa leje nuk do të legalizohet. Përgjegjësin e kësaj situate, pronarët e ndërtimeve pa leje duhet ta gjejnë te Edi Rama, si porositës i objekteve informale- praktikë të cilën ai e njeh mjaft mirë pasi qeverisja 11 vjeçare e Bashkisë së Tiranës i dha dorë të lirë shkatërrimit të qytetit, përmes ndërtimeve pa kriter dhe zhdukjes së hapësirave publike.
...