Qeveria e Ramës me ministra pa përvojë – u lanë jashtë politikanë me kontribute dhe eksperiencë
Flet ish presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani
Në një intervitë për “Panoramën”, ish Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani thotë se po të ishte për të, në Qeverinë e ardhshme do të kishte vendosur më shumë femra dhe do të kishte rezervuar poste ministrore për politikanë me eksperiencë si Gjinushi, Milo dhe Ngjela. “Është herët për vlerësim, sidomos nisur dhe nga përvojat personale administrative të anëtarëve të kabinetit. Po ashtu, edhe pse pozicioni i ministrit ka natyrë më tepër politikë se teknikë, në gjykimin tim. po të isha unë kandidati për Kryeministër, brenda një skeme kolegjiale, ndoshta do të veproja disi më ndryshe; dhe pa dyshim do të konsideroja me përparësi disa politikanë me përvojë, kontribute të spikatura apo peshë individuale, si Gjinushi, Milo, Ngjela etj., veçanërisht për të ridimensionuar zërin e tyre, në mungesë të përfaqësimit përkatës në Kuvend”- shprehet ish presidenti i Republikës. Meidani gjykon se ekzekutivi i drejtuar nga Rama reflekton një karakter më tepër piramidal sesa kolegjial, gjë që e bën të mendojë se shënjestër të publikut dhe të opozitës do të jetë më tepër kryetari i Qeverisë sesa Këshilli i Ministrave në tërësi. “Qeveria do të reflektojë një karakter më tepër piramidal sesa kolegjial të degës ekzekutive, por ama brenda hapësirave ligjore-kushtetuese. E thënë ndryshe, shënjestër e publikut dhe e opozitës do të jetë më tepër kryetari i qeverisë (Kryeministri) se qeveria (Këshilli i Ministrave) në tërësi! Por, kam edhe një vërejtje, që kërkon një trajtim më të plotë brenda një konceptimi adekuat kushtetues. Konkretisht, një shqetësim për mendimin tim është moskonsultimi paraprak i Presidentit të Republikës në ndërtimin e këtij kabineti, sidomos për dikastere që lidhen mjaft ngushtë me veprimtarinë e tij, si Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes apo Ministria e Drejtësisë”- thotë Mejdani. Ai ka kritikuar kryesocialistin Edi Rama për faktin se formoi ekzekutivin pa u konsultuar më parë me Kreun e Shtetit, Bujar Nishani. Sipas Meidanit, i cili është një nga emrat më të njohur mes politikanëve të majtë, kjo duhej të ishte bërë për të paktën ato dikastere që kanë lidhje direkte me veprimtarinë e Presidentit, si Ministria e Jashtme, ajo e Drejtësisë dhe Ministria e Mbrojtjes. “Konkretisht, një shqetësim për mendimin tim është moskonsultimi paraprak i Presidentit të Republikës në ndërtimin e këtij kabineti, sidomos për dikastere që lidhen mjaft ngushtë me veprimtarinë e tij, si Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes apo Ministria e Drejtësisë”- thotë ai.
...