E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Rikthimi i praktikës “gju më gju me popullin”, tregues se në PS s’e merr vesh i pari të dytin

03-09-2012 / Gazeta 55

Zërat e ndryshëm që shprehnin lajmin se PS-ja kishte hequr nga slogani i papërtypshëm  “Rilindje Shqiptare” për të dalë në një të re, u përforcuan ditën e djeshme daljen në konferencë për shtyp të kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili riktheu formulën enveriste të takimeve “gju më gju me popullin” për t’ju shpjeguar atyre të pathëna të mëdha për politikën e Tiranës. “Ne do të jemi këta dhjetë muaj që mbeten deri ditën e zgjedhjeve nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar”, deklaroi Shefi i opozitës pas ardhjes nga Afrika. Padyshim synimi i kësaj nisje të re të opozitës është denoncimi i qeverisë dhe sidomos arsyet për të mos votuar partitë e koalicionit qeverisës : “do t’u tregojmë shqiptarëve një më një edhe arsyet pse nuk duhet ta votojnë më këtë pushtet”, theksoi Rama.
Kuptohet vetiu, rikthimi në formulën e provuar një herë të “dialogut me Shqipërinë” njëlloj siç ishin gjezdisjet e Fatos Nanos fshat më fshat është rikthim në të kaluarën e “shitjes së sapunit për djathë”. Rama i ka përdorur të gjitha mënyrat për t’u fituar zemrën shqiptarëve, si me dialogun gju më gjumë më popullin duke gjezdisur nëpër fshatra, më pas tentativa për të kopjuar Obamën gjatë 2009 “Me Vullnetarët përtej së Majtës dhe të Djathtës”, sipas këshillës së Erjon Veliajt dështuan me sukses. Sigurisht Rama po i luan të gjitha kartat që nëse arrin në zyrën e Kryeministrit, të ketë sa më pak kokëçarje. Por Shqiptarët kanë kuptuar një gjë, që Rama mundohet ta fshehë, ai është i pasinqertë. nuk i beson asgjëje që thotë apo bën, veçse inercia e etjes për pushtet e shtyn ta shpikë veten në çdo lloj mënyre.
Ndërkaq 10 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013, kreut të opozitës i Edi Rama i duhet të gjejë një formulë politike për të mbushur hendekun prej 142 mijë votave distancë me koalicionin qeverisës. Megjithëse këtë hendek po përpiqet ta mbushë  jo me një reflektim politik dhe analizë të thellë të asaj çfarë ndodhi dhe pse nuk frymëzoi sa duhet qytetarët në dy zgjedhjet e fundit, por të krijojë sa më shumë parulla politike për të galvanizuar militantët dhe synon të magnetizojë grigjën gri të votuesve të pavendosur.
Por me sjelljen çintegruese të Partisë Socialiste në përmbushjen e 12 rekomandimeve të kërkuara nga komisioni për zgjerim të Bashkimit Europian si domosdoshmëri për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë – ajo dhe opozita rrezikojnë të dezintegrohen në zgjedhjet parlamentare si rrjedhojë e penalizmin qytetarët bllokatorëve. Me kushtëzimin e vendosur ndaj draft-ligjit për kufizimin e imunitetit të parlamentarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë, PS-ja po dëften një vijë sjellje të pashembullt ndaj interesave kombëtare për motive të dobëta. Dhe motivet e dobëta janë përfitimi in-ekstremis i ndikimit në sistemin e drejtësisë duke kushtëzuar me 3/5 të të gjitha dekretet presidenciale për Kryeprokurorin e Përgjithshëm dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj kushtetuese. “Nesër (sot) nisin edhe punimet e parlamentit. Ne presim të nisë edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Vetëm kështu do t’i hapet rrugë votimit në parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator përpara gjykimit të tetorit në Bruksel për kandidaturën e Shqipërisë për statusin”, u shpreh kreu i opozitës. Ndërsa diskutimet për propozimet e PS do mund të nisin sipas asaj që ka përcaktuar Konferenca e Kryetarëve në Këshillin e Legjislacionit me siguri debatet dhe analiza do të shkojnë përtej tetorit sepse ashtu siç është shprehur dhe shefi i opozitës Rama “nuk duhet të nxitohemi për ndryshuar sërish Kushtetutën”. Dhe kërkesa e djeshme e Ramës që këto diskutimet për ndryshime të reja Kushtetuese  jo vetëm të hapen por, sipas tij, të “mbyllet” brenda shtatorit janë në kundërthënie të plotë me çfarë është deklaruar më parë. Me një llaf, Rama jo vetëm kërkon të nxitohet për ndryshimet kushtetuese por kërkon me një shpejtësi marramendëse që brenda muajit shtator të votohen nene dhe paragrafë të ligjit themeltar të Shtetit aq delikatë  për ekuilibrat e sistemit të drejtësisë, që në rastin më të mirë do të duhej të kishte pasur konsultime të shumta publike me profesionistë të ligjit dhe kushtetutës, tryeza ndërkombëtare me komisionit e Venecias, debate parlamentare të përfaqësuesve të sovranit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›