Nis sesioni i ri parlamentar, në axhendën e Kuvendit reformat e integrimit

Kuvendi mblidhet në seancë plenare
Sesioni i shtatë i Legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të Shqipërisë nis zyrtarisht punimet paraditen e ditës së sotme. Pas një ndërprerje gati një mujore të aktivitetit parlamentar, deputetët do të ulen në sallën e Kuvendit, ku i pret një dinamikë e ngjeshur pune. Rendi zyrtar i punimeve të Kuvendit parashikon ceremoninë e hapjes së sesionit të ri, ku pritet përshëndetja e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe e krerëve të grupeve parlamentare të mazhorancës dhe opozitës.
Më pas, punimet e parlamentit do të vijojnë me miratimin e programit të punës së Kuvendit për periudhën 2 shtator-31 tetor 2012, si dhe kalendarit tre-javor të punimeve për periudhën 3-21 shtator 2012.
Sfida e këtij fillim sesioni pritet të jetë heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë, riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vijimi i axhendës parlamentare me çështjet e tjera të lëna në mes nga sesioni paraardhës si pr/ligji për Gjykatën e Lartë ai për administratën publike dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Gjithashtu kalendari tre-javor, i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, përfshin dhe shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese, e cila do të diskutohet më 6 shtator nga Këshilli i Legjislacionit.