Fokus/Zgjedhjet e 23 qershorit, ja si do zhvillohet dhe monitorohet procesi

Shqiptarët vendosin me votë sot se kujt do i besojnë qeverinë e 4 viteve të ardhshme. 3.271.885 zgjedhës janë thirrur te votojnë sot e 23 qershorit për Kuvendin dhe kabinetin e ri qeveritar. Pavarësisht pastrimit nga ana e Ministrisë së Brendshme, lista përfundimtare e zgjedhësve përmban 1,139 të dyshuar si të dubluar. Që nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 19 të mbrëmjes, 5508 QV do jenë të hapura për qytetarët dhe në përfundim të procesit, do të nisë numërimi i votave në 89 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Beteja më e ashpër do jetë ajo mes 2 koalicioneve, “Aleanca për Shqipërinë Europiane” me 37 parti e udhëhequr nga PS dhe koalicioni i drejtuar nga PD “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” me 25 parti.. Shqiptarët do të zgjedhin mes 66 subjekteve politike që janë renditur në fletën e votimit. Diferencë bëjnë 2 qarqe që do kenë 67 subjekte, kjo pasi në Vlorë kandidon si i pavarur Arben Malaj, ndërsa në qarkun e Fierit i pavarur garon Dritan Prifti. I gjithë procesi i së dielës, pritet të mbikëqyret nga 8,153 vëzhgues të huaj dhe vendas. Rreth 8 mije vëzhgues vendorë do të jenë syri i shqiptarëve në këto zgjedhje, nga të cilët:2,402 afatgjatë; 5,187 afatshkurtër. Por edhe faktori ndërkombëtar ka ngritur një ekip të tërë mbikëqyrje me një numër prej 564 vëzhguesish, nga të cilët 140 afatgjatë, 424 afatshkurtër . Ambasadat e vendeve të Unionit Europian janë akredituar pranë KQZ për të qenë prezent fillimisht në qendrat votimi dhe më tej në qendrat e numërimit të votave. Mbikëqyrje do ketë edhe nga Ambasadat e vendeve të Ballkanit, por numrin më të madh të vëzhguesve e ka Ambasada amerikane, 68 vëzhgues. Përpos armatës së vëzhguesve të OSBE-ODHIR, procesi do të vëzhgohet nga 23 vëzhgues të Asamblesë Parlamentare te Këshillit te Evropës, me në krye Luca Volontè. Një sy tjetër vëzhguesish do jenë edhe gazetarët e mediave të huaja që kanë paraqitur një interes të madh për procesin e së sotëm.