Berisha: Sot vendosim për të ardhmen tonë
Shefi i mazhorancës fton qytetarët t’u drejtohen masivisht kutive të votimit
Kryeministri: “Votoni 44-ën që të ecim Përpara në projektin tonë për Shqipërinë e zhvilluar”
“Sot vendosim për të ardhmen tonë. Votoni!”. Ky është mesazhi i liderit të të djathtës dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha drejtuar votuesve shqiptarë, për të shprehur masivisht të drejtën e tyre kushtetuese. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Sali Berisha fton qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre kushtetues. Në vlerësimin e kreut të qeverisë shqiptare, vota e sotme e qytetarëve, është votë për vazhdimësinë e projektit për Shqipërinë e zhvilluar dhe Shqipërinë europiane. “Të dashur miq, të dielën ne të gjithë së bashku duhet tu drejtohemi kutive të votimit. Të dielën ne do të vendosim për të ardhmen tonë, prandaj unë ju ftoj të gjithëve të votoni numrin 44, të votoni PD, që ne të ecim Përpara në projektin tonë për Shqipërinë e zhvilluar, për më shumë vende pune, për anëtarësimin në BE. Duke votuar 44-ën ju përcaktoni të ardhmen tonë europiane, fatin e mirë për çdo shqiptar. Fitore”- shkruan kryeministri Berisha. Partia Demokratike kërkon një mandat të tretë qeverisës dhe për këtë, shkon para shqiptarëve me një alternativë dhe program konkret, që në tërësi është bindës dhe meriton çuarjen në një stad tjetër të zhvillimit që tashmë ka nisur, është i prekshëm.