Fol: Deklaratat e pavërteta të politikanëve

Në një konferencë për media Lëvizja Fol ka prezantuar raportin e verifikimit të deklaratave të zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës.
Edhe në këtë raport të quajtur matësi i deklaratave të zyrtarëve të lartë, të parët janë zyrtarët qeveritar.
Sipas kësaj lëvizje deklaratë e pavërtetë del të jetë ajo e kryeministrit Hashim Thaçi e dhënë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2010, kur kishte premtuar se brenda 15 muajve qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në tërë Evropën, raporton portali KosovaTimes.
Arsyetimi i Lëvizjes Fol është se ky premtim është dhënë gjatë fushatës elektorale, mirëpo, ky premtim nuk u realizua dhe si i tillë deklarimi i tij është i pavërtetë.
Deklarata e dytë e vlerësuar si kontradiktore është ajo e ministres së Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku, e cila kishte thënë se klasa politike në Kosovë pa përjashtim ka arritur që të kuptojë që lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të jetë parakusht për proceset e mëtejshme integruese.
Por, sipas drejtuesve të Fol kjo deklaratë e dhënë në vitin 2012, është kontradiktore, pasi sipas kësaj, deklarate klasa politike nuk ishte e vetëdijshme para qershorit të vitit 2012 për rëndësinë e luftimit të korrupsionit si një parakusht për integrim në BE?!
Ndërsa, deklarata e tretë është po ashtu kontradiktore, por kësaj radhe e ministrit të Infrastrukturës Fehmi Mujota, i cili kishte thënë se “Po e them publikisht se edhe tash mund të thuhet se ka keqpërdorime për këtë nivel (në Ministrinë e Infrastrukturës)”.
Sipas Fol, me gjithë keqpërdorimet e shumta në Ministrinë e Infrastrukturë, ministri Mujota bën sikur thuaj ai nuk ka asnjë përgjegjësi për aferat e tilla në ministrinë e tij.
E, kësaj radhe një deklaratë iu doli e vërtetë zyrtarëve të Fol. Është ajo e EULEX-it, se “EULEX-i nuk është duke bërë asgjë në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta?”.
Ndërsa, në rendin e deklaratave të pavërteta radhitet edhe ajo e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi i cili kishte thënë se “Ligji (për konfiskimin e pasurisë së paligjshme) do të nxirret brenda këtij gjashtëmujori dhe ai do të vlejë për të gjithë”.