Folën për Kosovën

Prishtinë, 18 dhjetor — Më në fund, FIFA e ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) se anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të këtij asociacioni kanë diskutuar rreth futbollit kosovar, gjatë mbledhjes së tyre të mbajtur në fillim të këtij muaji në Afrikën e Jugut.
Zyrtarët e FFK-së treguan të premten se kanë marrë një shkresë nga FIFA, nëpërmjet së cilës janë njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i saj e ka shqyrtuar në veçanti kërkesën që ekipet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblim klubeve të Kosovës, në rast se transferojnë ndonjë lojtar nga Kosova.
“Kemi kënaqësinë të ju informojmë se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e mbajtur më 3 dhjetor 2009 shqyrtoi situatën e FFK-së në lidhje me transferimet ndërkombëtare të lojtarëve të Kosovës. Ju njoftojmë se tani jemi duke e analizuar situatën dhe më pas do t’ju kthejmë një përgjigje”, thuhet ndër të tjera në shkresën e FIFA-s dërguar FFK-së, e cila ishte e nënshkruar nga drejtori për çështje ligjore, Marco Viliger.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, sqaroi se vendimin përfundimtar rreth kësaj kërkese pritet ta marrë një komision i FIFA-s në një të ardhme të afërt.
“Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka diskutuar rreth futbollit kosovar e në veçanti e ka shqyrtuar kërkesën tonë rreth njohjes së certifikatave ndërkombëtare për futbollistë. Komiteti Ekzekutiv e ka autorizuar një trup punues të FIFA-s që të analizojë këtë dhe ta merr një vendim. Ai trup punues tani është duke punuar rreth kësaj çështjeje dhe në një të ardhme të afërt pritet ta merr një vendim në favor tonë”, deklaroi Salihu për Express.
“Është shumë e rëndësishme që çështja e futbollit kosovar është futur në rend dite të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s pa e kundërshtuar askush”, theksoi Salihu.
Kërkesën rreth legalizimit të transferimeve të futbollistëve nga Kosova, drejtuesit e FFK-së e patën bërë gjatë takimit të tyre në Zvicër në muajin nëntor me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter.
Në atë takim pala kosovare i pat parashtruar edhe tri kërkesa tjera: Pranimin e plotë të Kosovës në FIFA, të lejohet përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me reprezentacione të huaja deri në pranimin e plot të saj në familjen botërore të futbollit, dhe që klubet kosovare të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane.
Salihu tha se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s i ka shqyrtuar edhe këto tri kërkesa, të cilat as nuk janë aprovuar, por që as nuk janë refuzuar.
“Po, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s i ka shqyrtuar të gjitha kërkesat tona. Asnjëra nga to nuk është refuzuar. Por, fillimisht do të shqyrtohet ajo për transferime të lojtarëve dhe më pas do të shkohet hap pas hapi”, theksoi Salihu.
Vokrri, i kënaqur me stinorin vjeshtor
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e ka vlerësuar mjaft të suksesshme mbarëvajtjen e garave në edicionin vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. “Mendimin pozitiv për futbollin e Kosovës e ka dhënë edhe opinioni futbolldashës. Ka qenë njëri ndër stinorët më të suksesshëm”, ka thënë Vokrri të premten në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë.