Folklorizmat e Berishës për të tërhequr vëmëndjen ndaj krizave
Kryeministri Berisha, prej disa muajsh nuk bën gjë tjetër veçse flet për 100-vjetorin e pavarësisë. E ka kthyer tashmë në një qëllim të vetin dhe për çdo gjë që flet, nuk lë pa future edhe 100-vjetorin.
E përsëriti edhe sot në mbledhjen e parë të qeverisë, duke thënë se shqiptarët këtë vit duhet të jenë më të lumtur se kurrë(lumturinë nuk mund ta imponosh, edhe kur bëhet fjalë për raste të tilla), për shkak se është 100-vjetori i pavarësisë.
Por, a kanë motiv shqiptarët që të jenë të gëzuar dhe të lumtur këtë vit. Top Channel, në një kronikë të djeshme shprehej se ekonomia shqiptare, vitin që lam pas ka qenë në një gjëndje të rëndë, ndryshe nga sa thotë Berisha. Pas vitit 97, ka qenë viti më i vështirë ekonomik. Ky vit pritet që gjithashtu të jetë shumë i vështirë.
Përveç ekonomisë, në vend prej ditësh ka edhe një krizë energjitike, ndërkohë që përplasjet politike pritet që të jenë të forta, sidomos prej faktit se Berisha ka vendosur që në postin e presidentit të emërojë një PD-ist, dhe për pasojë edhe kryeprokurorja do të zgjidhet nga mazhoranca.
Pra, praktikisht këtë vit, të gjitha institucione do të kontrollohen nga ana e mazhorancës, ndërkohë që Berisha e gënjeu opozitën me Avokatin e Popullit, një institucion pa peshë në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
Përballë këtyre fakteve, Berisha fshihet tek folklorizmat, duke mitizuar dhe duke u përpjekur që ta kthejë 100-vjetorin e pavarësisë, në një gëzim kombëtar. Kjo nuk mund të bëhet me zor!