Berisha: Politika e plehut dështoi, duhet rishikuar historia. Presidenti është yni
Kryeministri Berisha e nis këtë vit aty ku e la vitin e kaluar. Në mbledhjen e parë të qeverisë për këtë vit, ai ka vijuar akuzat për opozitën dhe presidentin Topi, ndërsa u shpreh se nuk do të bëjë asnjë lëshim për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Berisha tha se presidenti do të zgjidhet sipas kushtetutës, pra do të zgjidhet nga mazhoranca. Ai ka folur gjatë edhe për 100-vjetorin e pavarësisë, temë kjo që pritet të jetë motiv i çdo diskutimi të Berishës për këtë vit.
Unë siguroj shqiptarët, se do të bëjmë gjithçka, që ta kthejmë këtë vit dhe këtë festë, ashtu siç e meriton Shqipëria, me rastin e pavarësisë së saj.
Duhen nxjerrë në pah të vërtetat e mëdha kombëtare, të 100 vjetëve të fundit. Këtë vit shqiptarët duhet të ndjehen më krenarë dhe më të lumtur se kurrë.
Duhet të korrigjohet historia dhe të paraqitet realiteti ashtu si ka qenë, pasi si çdo vend, edhe historia shqiptare ka shtrëmbërime, të cilat duhen korigjuar.
Shqiptarët kanë nevojë për një rivlerësim të vetes së tyre, sepse kanë bërë shumë dhe kanë arritur shumë.
Tek një pjesë e vogël e shqiptarëve ekziston një pasion për të nxirrë çdo gjë me çdo kusht. Kjo ka ndodhur këtë vit, por pavarësisht këtyre, Shqipëria nuk e njohu krizën.
Asnjë komb nuk ka dalë më shpejt nga varfëria, siç ka dalë Shqipëria. Asnjë komb nuk ka ecur drejt zhvillimit më shumë se ne.
Politika e plehut, zgjati sa zgjati, por dështoi. Një vend me besim tek ligji dhe kushtetuta, nuk mund të merret peng kurrë nga askush. Ne mbetemi të vendosur për bashkëpunim, por mbi të gjitha për të respektuar ligjet.
Presidenti do të zgjidhet brenda kushtetutës dhe ne përputhje me të plotësisht. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira shtesë për këtë çështje, do të pësojnë dështimin që kanë pësuar edhe të tjerat.
Vendit duhet ti japim një president në lartësinë e detyrave dhe kushtetutës, me integritet të plotë, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.