Fondi për pronat, Topi dekreton ligjin

Kreu i shtetit firmos zbatimin e ligjit për krijimin e fondit për ish-pronarët. Ja burimet që do të përdoren për të ardhurat
TIRANË - Ligji i miratuar pak kohë më parë në Kuvend, "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", është firmosur dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Kreu i shtetit ka dekretuar ligjin që bën fjalë për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave. Pak kohë më parë, Kuvendi miratoi më shumicë votash burimet nëpërmjet të cilave do të realizohen të ardhurat, që do të përdoren si një buxhet më vete për kompensimin e pronarëve, jo vetëm të atyre të shpronësuar gjatë sistemit komunist, por edhe të rinjve, të cilët janë detyruar të lënë pronat e tyre qoftë për shkak të procesit të legalizimit të zonave informale ashtu edhe për interesa publike.
Ligji i dekretuar tashmë edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përbëhet nga 10 nene dhe në të parashikohet që për një periudhë 10-vjeçare me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi të caktojë buxhetin e veçantë për procesin e kompensimit, i cili do të administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Ky fond është parashikuar që të mos mbushet vetëm me të ardhurat nga Buxheti i Shtetit, por në të do të përfshihen edhe lekët e përfituara nga një sërë burimesh të tjera.
Bëhet fjalë për të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka një vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës, si dhe të ardhurat që krijohen nga procesi i legalizimit, 80 për qind e të cilave kalojnë në këtë fond special.
Fondi i krijuar, si pasojë e këtyre burimeve do të administrohet në një llogari të veçantë të thesarit në Bankën e Shqipërisë dhe do të paraqitet për miratim në Kuvend paralelisht me Buxhetin e Shtetit.
Por, ndryshe nga sa parashikon ligji për Buxhetin e Shtetit, për këtë fond do bëhet një përjashtim në rastet e mosekzekutimit të tij brenda vitit financiar. Kështu, në të gjitha rastet kur ai nuk do arrihet të shpërndahet brenda një viti, ai nuk do të digjet, por do të kalojë për vitin pasardhës.
Për rrjedhojë, buxheti për kompensimin fizik të pronarëve nuk do të jetë më fiks, por ai do të ndryshojë, qoftë në varësi të ardhurave të krijuara nga burimet e mësipërme, ashtu edhe në varësi të shumave të papërdorura gjatë vitit paraardhës.
Sërish subjektet që do të fitojnë të drejtën e kompensimit fizik do të duhet të hapin llogaritë bankare dhe t'i paraqesin ato pranë AKKP-së, ku kjo e fundit do të mund të derdhë shumën e përfituar. Shuma e të hollave të përfituara nga kompensimi financiar e depozituar në llogarinë bankare, do mund të tërhiqet personalisht nga subjekti fitues ose nga kujdestari i tij ligjor.
Në këtë ligj është vendosur edhe një dispozitë e veçantë për detyrimin e raportimit çdo tre mujor nga kreu i AKKP-së në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me ecurinë e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave. Gjithashtu po për këtë çështje Ministri nga ana e vet do të duhet që brenda muajit mars të raportojë në Kuvend.