E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi heq nga axhenda ligjin për SHISH

Në seancën e djeshme parlamentare është diskutuar vetëm për nismat ligjore të PS-së për zgjedhjet


TIRANË - Ashtu siç ishte paralajmëruar, Kuvendi nuk përfshiu dje në axhendën e saj të punës, miratimin e projektligjit për disa ndryshime në Shërbimin Informativ Shtetëror. Seanca e djeshme ka pasur vetëm një pikë në rendin e ditës, diskutimin e nismave ligjore të propozuara nga Partia Socialiste. Dy ditë më parë në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaroi se ishte autorizuar nga kryeministri Sali Berisha


që të niste një cikël konsultimesh dhe diskutimesh me misionin Euralius, që asiston në Ministrinë e Drejtësisë për hartimin dhe draftimin e projektligjeve. Nishani shtoi se konsultat kanë nisur pikërisht pas miratimit të këtij drafti në Komisionin e Sigurisë dhe të Ligjeve.


Drafti i fundit i propozuar nga qeveria për SHISH-in është kontestuar gjerësisht nga ndërkombëtarët, por edhe NATO. Përmbajtja e saj kryesisht në kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it, por edhe në raportet e këtij institucioni me kryeministrin Sali Berisha është cilësuar e dyshimtë nga ana e ndërkombëtarëve.


Në tryezën e organizuar dy ditë më parë nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi se roli i shërbimeve informative është që të mbrojnë sigurinë e vendit. "Jemi të gatshëm të ndihmojmë për ofruar të gjitha këto shërbime për të parë reformat e shërbimit informativ në Shqipëri, në përpjekje për ta bërë atë më të mirin e mundshëm.


Dhe veçanërisht, për të shmangur gabime që do ta çonin procesin e ndryshimit në shërbimin informativ në drejtimin e gabuar", - u shpreh Uidhers, dy ditë më parë.


Të njëjtën problematikë përcollën gjatë tryezës edhe Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, si dhe ambasadorja britanike, Fiona McIlëham. Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare mori një letër nga zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS.


Kjo zyrë i kërkonte qeverisë shqiptare që projektligji i ri për SHISH-in (para së të miratohet në Kuvend) të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes. Drafti për SHISH-in është kontestuar përmes konferencave për shtyp edhe nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›