E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat RENEA marrin në mbrojtje Ambasadën Amerikane në Tiranë

TIRANE - Kërcënimet për sulme terroriste, të zbuluara nga shërbimet sekrete amerikane, kanë sjellë përforcimin e masave të sigurisë te Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Dy ditë më parë, Ambasada ka kërkuar ndihmën e Policisë shqiptare për të përforcuar sigurinë rreth objektit diplomatik. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës konfirmuan dje se prej dy ditësh ka ndërmarrë një plan të detajuar masash, me shërbime të përforcuara 24 orë pa ndërprerje pranë Ambasadës dhe rezidencave amerikane. Forcat speciale RENEA, në ndonjë rast edhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, janë pozicionuar në Rrugën e Elbasanit dhe së bashku me policinë e Komisariatit Nr. 1 janë duke mbajtur në vëzhgim çdo element apo lëvizje të dyshimtë në zonë.

Masat janë marrë në koordinim me stafin e sigurisë në Ambasadën Amerikane dhe pritet të qëndrojnë aty deri në një urdhër të dytë, që me shumë mundësi mund të jenë deri në fund të muajit gusht. Siguria e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë është rritur edhe nga agjentë të kamufluar, që nuk bien në sy të qytetarëve. Vetë Ambasada ka lajmëruar për të pasur kujdes në lëvizjet e tyre të gjithë shtetasit amerikanë që ndodhen në Shqipëri. Paralajmërimi për të gjithë amerikanët që do të udhëtojnë jashtë vendit është në fuqi deri më 31 gusht.

MASAT E POLICISE
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se masat e shtuara të sigurisë janë marrë prej 2 ditësh për të shmangur çdo incident të mundshëm. Kështu, që prej së shtunës, forca të shumta policie dhe të RENEA-s janë pozicionuar përreth godinës së Ambasadës së SHBA-ve, që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, duke qëndruar në gatishmëri përgjatë 24 orëve. Kryesisht forcat RENEA janë në gatishmëri gjatë natës, prej orës 22:00 të mbrëmjes e deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjatë këtij orari furgonët e forcave speciale janë të dukshëm rreth Ambasadës, ndërsa gjatë ditës shërbimin e marrin forcat e rendit të Komisariatit Nr. 1, që të ndarë në tri turne, me nga 8 policë, mbajnë nën kontroll çdo lëvizje të dyshimtë. Plani i masave të sigurisë është sekret dhe jo vetëm ato që shohim dhe janë të dukshme, janë në përbërje të planit të masave. Pasi agjentë specialë të kamufluar monitorojnë nga distanca çdo lëvizje apo objekt të dyshimtë.

Ajo çfarë bie në sy është fakti se vihet re prania e shtuar e forcave speciale që qëndrojnë në grupe përreth godinës së përfaqësisë diplomatike, patrullimet 24- orëshe, si dhe lëvizja e forcave RENEA përgjatë Rrugës së Elbasanit. Nuk dihet se sa do të zgjasë shtimi i masave të sigurisë së Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe gjithashtu Policia është e rezervuar për të dhënë më shumë detaje. Megjithatë, ashtu siç edhe është përcaktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, deri në fund të muajit gusht siguria duhet të jetë maksimale për të shmangur çdo incident të mundshëm që parashikohet të vijë nga Al-Kaeda.

(er.nu/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›