Meidani Rama te konsultonte Nishanin per qeverine

Po të ishte për të, në Qeverinë e ardhshme do të kishte vendosur më shumë femra dhe do të kishte rezervuar poste ministrore për politikanë me eksperiencë si Gjinushi, Milo dhe Ngjela. Bëhet fjalë për ish-presidentin e Republikës, Rexhep Meidani, i cili gjatë një interviste ka kritikuar kryesocialistin Edi Rama për faktin se formoi ekzekutivin pa u konsultuar më parë me Kreun e Shtetit, Bujar Nishani. Sipas Meidanit, i cili është një nga emrat më të njohur mes politkanëve të majtë, kjo duhej të ishte bërë për të paktën ato dikastere që kanë lidhje direkte me veprimtarinë e Presidentit, si Ministria e Jashtme, ajo e Drejtësisë dhe Ministria e Mbrojtjes. Meidani gjykon se ekzekutivi i Ramës reflekton një karakter më tepër pyramidal sesa kolegjial, gjë që e bën të mendojë se shënjestër të publikut dhe të opozitës do të jetë më tepër kryetari i Qeverisë sesa Këshilli i Ministrave në tërësi.