E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcërisht në komisariat vajza që denoncoi policinë

Policia e Vlorës shoqëron forcërisht për në komisariat e më pas në Gjykatën e Shkallës së Parë të qytetit Tetraklina Shakajn, vajzën, e cila gjatë tri ditëve të fundit, ka denoncuar në emisionin "Fiks Fare" kurthin që policia i ngriti ish-drejtorit rajonal të Arsimit në Vlorë, Kozma Leka. Dje paradite, një furgon i Policisë së Vlorës ka ndaluar para derës së shkollës së fshatit Kropisht. Atje, policët kanë nxjerrë nga mësimi mësuesen Tetraklina Shakaj dhe e shoqëruan për në komisariatin e policisë, ku ka qëndruar për gati një orë. Më pas, nën shoqërimin e forcave të shumta të policisë, Tetraklina është dërguar në sallën e gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë (Vlorë), ku do të zhvillohej seanca e radhës ndaj ish-drejtorit të Arsimit, Leka. Ky i fundit ndodhet në bankën e të akuzuarve, vetëm pas denoncimit të Tetraklina Shakajt. Seanca e djeshme gjyqësore nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës. Ajo u shty për më 15 prill 2008.

Kallëzimi i Tetraklinës në polici, i firmosur prej saj (por sipas vetë dëshmitares, ka qenë i sajuar nga policia), është dëshmia kryesore, mbi të cilën është mbështetur akuza ndaj ish-drejtorit të Arsimit të Vlorës. Në disa procesverbale të policisë lokale, të cilësuara si tepër sekrete dhe që mbajnë datën 17 e 20 korrik 2007, shpjegohen të gjitha veprimet simuluese të policisë, që u kryen me autorizim të Prokurorisë së Vlorës. Prokurorit iu kërkua firmosja e vendimit të simulimit, në bazë të kallëzimit të bërë nga policia. Vetë vajza deklaroi në "Fiks Fare" se e kishte firmosur kallëzimin e përgatitur nga oficerët e Policisë Gjyqësore, madje ka firmosur edhe shumë fletë pa i lexuar fare. Dyshimi se kallëzimi i vajzës në polici ishte i sajuar nga vetë punonjësit e policisë përforcohet më shumë po të lexosh me vëmendje mes rreshtave të tij. Në kallëzim theksohet se vajza i kishte kërkuar një kontratë definitive ish-drejtorit të Arsimit kundrejt një pagese të majme, ndërkohë që policia kishte harruar një fakt shumë të rëndësishëm. Vetë mësuesja, Tetraklina Shakaj nuk mund të bënte një kërkesë të tillë dhe as mund t‘i firmosej një kontratë për mësuese të përhershme nga i pandehuri Leka, pasi kishte një urdhër të ministrit të Arsimit, që ndalonte emërimin e mësuesve definitivë pa arsimin përkatës. Dhe Tetraklina nuk e ka këtë arsimim. Ajo është studente në vitin e dytë të degës Gjuhë-Letërsi.

Në kallëzim dallohet qartë që vajza ka punuar me katër apo pesë kontrata radhazi, pa pasur ndonjë kërkesë për lekë nga ana e ish-kreut të Arsimit. Si ka mundësi që nuk e vuri re këtë kontradiktë prokuroria, e cila firmosi vendimin për veprimet simuluese dhe fillimin e procedimit penal? Ndërkohë që vetë vajza, në tetor të vitit të kaluar, ka bërë një deklaratë, para një notereje në Tiranë, ku tregon se ka firmosur në polici disa fletë e që ajo nuk i kishte lexuar. Fletët e firmosura rezultuan se ishin kallëzimi penal. Tetraklina pranon se ka kryer veprimet e simulimit, që e çuan Kozma Lekën në burg, si të akuzuar për korrupsion. Përgjimet sekrete të policisë iu dërguan prokurorisë dhe gjykatës. Po në vetë përgjimet nuk ka asnjë fjali, ku ish-drejtori i Arsimit të ketë kërkuar para. Kemi vetëm këmbënguljen e vajzës që t‘i jepte paratë. Pra, ishte vetë policia nëpërmjet "karemit" të saj, që e përgatiti krimin.

Neni 324, pika 3 e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shpjegon se kur nuk duhen bërë provokime. "Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke e shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer, po të mos ishte ndërhyrja e policisë. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret", thuhet në këtë nen. Provokimi i policisë, në këtë rast, është i pastër. Me një shou policesk, në prani edhe të kamerave, u arrestua ish-kreu i Arsimit të Vlorës dhe policia meritoi lëvdatat e luftës kundër korrupsionit ose "duarve të pastra". Policia ishte e bindur se Leka do t‘i pranonte paratë dhe lajmëroi të gjithë kameramanët të filmonin momentin e arrestimit të tij. Askush nuk mund të justifikojë veprimet e policisë, nën bekimin e prokurorisë dhe gjykatës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›