E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i euros ndaj lekut shtrenjton mallrat e importit



Forcimi i valutave rrezikon të shtrenjtojë produktet e importit, të cilat në më të shumtën e rasteve blihen me euro. Biznesi vendas e konsideron këtë situatë një kosto shtesë në punën e tyre. Sipas Konfindustrisë, shitjet në tregun vendas kanë rënë me afro 20 për qind. Ky fakt ka bërë që biznesi të ulë çmimet. Nga ana tjetër, kësaj situate i shtohet edhe forcimi i euros, çka e detyron biznesin të blejë lëndën e parë me kosto më të shtrenjtë. Aktualisht, monedha e përbashkët europiane këmbehet në kufijtë e 130 lekëve, ndërsa një dollar, duke iu referuar Bankës së Shqipërisë, ka arritur në 102 lekë. Por BSH-ja ka qetësuar qytetarët duke thënë se “kjo është vetëm një situatë sezonale”. Sipas drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, për një ndjekës të vazhdueshëm të kursit të këmbimit kjo situatë është normale. Sipas tij, çdo fillim viti shoqërohet me një kërkesë në rritje të euros, pasi kompanitë mbyllin bilancet, nga ana tjetër kjo periudhë nuk është koha që emigrantët të sjellin valutë. Por për ekspertët, ky çrregullim i kursit të këmbimit përveç sezonalitetit lidhet edhe me krizën ekonomike, pasi disa tregues janë në rënie. Elvin Meka, sekretar i Shoqatës së Bankave, shprehet se jo vetëm që emigrantët po sjellin më pak euro, por edhe investimet e huaja janë me tregues në rënie, nga ana tjetër edhe eksportet po bien. Pra, sektorët që kontribuojnë në të hyrat e valutës kanë shfaqur shenja negative, ndaj situata ka arritur në këtë pikë. Por qeveria shprehet optimiste. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, qeveria është në fazën e marrjes së një kredie deri në 300 milionë euro. Kjo kredi do të përdoret për investime publike. Hedhja në treg e kësaj valute pritet të stabilizojë situatën. Por kjo kredi pritet të bëhet efektive në muajin prill. Deri atëherë askush nuk thotë me siguri se çfarë do të ndodhë me kursin e këmbimit.

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›