E Hënë, 2 Nëntor 2026

Forcimi i rolit të koordinatorëve të shëndetit dhe infermierëve në shkolla

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Sot në Tiranë, u zhvillua takimi i parë kombëtar i koordinatorëve të shëndetit në shkolla.

Në kuadër të projektit “Shkollat për Shëndetin”, zbatuar nga Save the Children Albania dhe mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim(SDC), ky takim bëri bashkë profesionistët e kujdesit shëndetësor në shkolla, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, qëllimi i takimit është forcimi i rolit të koordinatorëve të shëndetit dhe infermierëve në shkolla, si pjesë e rëndësishme e rrjetit të kujdesit për fëmijët.

Në fjalën e saj përshëndetëse, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, theksoi se “shëndeti i fëmijëve nuk është vetëm përgjegjësi e sistemit shëndetësor, por një prioritet kombëtar. Roli i koordinatorëve të shëndetit në shkolla është thelbësor për të ndërtuar një mjedis të sigurt, mbështetës dhe edukues për mirëqenien e çdo fëmije”.

Gjithashtu, në takim u prezantuan draftmanuali i koordinatorit të shëndetit në shkolla, draftmanuali i infermierit të shkollës dhe portali i njohurive, tashmë i integruar në faqen zyrtare të OSHKSH-së.

Në takim u zhvilluan sesione praktike mbi ndihmën e parë dhe reagimin në situata emergjente dhe kujdesin gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Drejtori i Përgjithshëm i OSHKSH-së, Jeta Deda nënvizoi rëndësinë e standardeve të unifikuara, edukimit shëndetësor në komunitet dhe fuqizimit të profesionistëve që kontribuojnë çdo ditë në shëndetin e fëmijëve tanë.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të praktikave më të mira, duke krijuar një sistem shëndetësor shkollor gjithëpërfshirës, të qëndrueshëm dhe të koordinuar në nivel kombëtar.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›