Panairi i misrit në Shkodër, paraqiten 52 hibride të reja

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Qendra Shkencore e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Shkodër, në kuadër të panairit të përvitshëm “Dita Fushore e Misrit”, prezantoi 52 hibride të farës së misrit, duke sjellë për fermerët varietete të reja të përshtatura me kushtet ekologjike të rajonit dhe me potencial të lartë prodhimi.
Ky aktivitet synon të informojë fermerët mbi të rejat në teknologjinë e farave dhe të promovojë përdorimin e hibrideve më rezistente dhe më produktive, në një kohë kur kërkesa për misër në rajon është në rritje të ndjeshme.
“Kushtet e motit këtë vit, sidomos thatësira e tejzgjatur, kanë prekur rëndë edhe prodhuesit kryesorë të rajonit si Serbia, Rumania dhe Bullgaria, të cilat po përballen me mungesë misri. Si rrjedhojë, tregu është ‘i uritur’ për këtë produkt dhe aktualisht çmimi në arë për mistrin, ka arritur nga 33 deri në 35 lekë për kilogram, një zhvillim shumë pozitiv për fermerët”, u shpreh Kostandin Hajkola, drejtor i departamentit të QTTB Shkodër.
Sipas specialistëve të bujqësisë, situata e tregut po nxit fermerët të rrisin sipërfaqet e mbjella me misër, duke e parë këtë kulturë si një mundësi të qëndrueshme ekonomike.
Aktualisht, qarku i Shkodrës renditet ndër zonat me prodhimtarinë më të lartë të misrit në vend, me mbi 5 mijë hektarë tokë të mbjellë.
Përveç hibrideve të reja, vëmendje të veçantë po marrin edhe varietetet autoktone të misrit, të cilat janë të përshtatura me klimën dhe tokat e zonës, duke u vlerësuar gjithnjë e më shumë nga fermerët për cilësinë dhe rendimentin.
“Dita fushore e misrit” mbetet një aktivitet i rëndësishëm në kalendarin bujqësor, që kontribuon në përhapjen e njohurive, rritjen e produktivitetit dhe afrim më të madh mes shkencës dhe bujqësisë praktike. /j.p/r.e/