E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcohen masat ndaj shkollave private

Pr/ligji i ri i arsimit parauniversitar parashikon gjoba që variojnë nga 500 mijë- 1 milion lekë, ndryshe nga më parë kur këto sanksione varionin nga 10 mijë-100 mijë lekë, në varësi të shkeljeve të konstatuara. 

“Hapja e institucioneve arsimore private në kundërshtim me procedurat dhe kriteret e licencimit përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësit në çdo rast dënohen me gjobë në vlerën nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë. Të drejtën e konstatimit dhe të shqyrtimit të kundërvajtjes e ka Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar”, thuhet në pr/ligji. 

Ai përcakton se licencimi i institucioneve private bëhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit, sipas vendimit të ministrit. Institucioni arsimor privat fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet kur ai plotëson kriteret e përcaktuara në udhëzimin e ministrit. Shkollat private në të cilat zhvillohen lëndë fetare hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit mbështetur në kërkesën e përfaqësuesve të bashkësive fetare.

 Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Lënda e gjuhës shqipe dhe letërsisë, e historisë së kombit shqiptar dhe gjeografia e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe. /Start/

                                                                                             2012-06-17 14:13
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›