E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqësori, Halimi: Presidenti, asnjë vendim pa Kuvendin

Këtë parashikon ministria e Drejtësisë në ligjin organik të hallkës kryesore të gjyqësorit që do t’i përcjellë këtë muaj Kuvendit. Ministri Eduard Halimi, sqaron se nga kjo nismë ligjore që kërkon 84 vota varet dhe zbatimi në praktikë i ligjit të Gjykatës Administrative. Nga ky ristrukturim i Gjykatës së Lartë, do të vijë verdikti i fundit për çështjet e biznesit dhe administratës.

"Ekspertët kanë menduar që numri të shtohet me 2 anëtarë, nga 17 në 19. Do të jetë e ndarë më tre Kolegje Gjykata e Lartë, një Kolegj Penal, një Kolegj Administrativ dhe një Kolegj Civil. Te treja këto kolegje do të kenë 6 gjyqtarë, 4 nga gjyqtarët aktualë dhe 2 nga gjyqtarët shtesë që do të vinë me shtinim e numrit", deklaron ministri Halimi.

Ligji i ri detyron presidentin të konsultohet më parë me Kuvendin, para dekretimit të çdo emri për gjykatës të lartë. Po ashtu, e detyron të bëjë publike të gjitha kandidaturat që garojnë për të plotësuar vendet vakante në këtë institucion.

"Dekreti i presidentit i cili shkon në Parlament, duhet të jetë i argumentuar, i arsyetuar, cilat janë arsyet dhe motivet pse zgjodhi këtë kandidatë. Ligji shkon në të njëjtën filozofi së Gjykatës Kushtetuese, i cili i kërkon presidentit të Republikës që gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duhet të ketë një komunikim dhe një bashkëpunim me grupet parlamentare", thotë ministri i Drejtësisë, cituar nga “AS”.

Ministria ka saktësuar dhe kriteret që duhet të përmbushë një jurist për t?u përzgjedhur si gjykatës I lartë. "Ata kandidatë që do të vinë nga sistemi gjyqësor, duhet të kenë kaluar të gjitha shkallët e gjykimit, te ketë qenë 10 vjet gjykatës i Shkallës së Parë, 5 vjet në Gjykatën e Apelit dhe më pas ti lind e drejta për të shkuar në Gjykatën e Lartë", shprehet Halimi.

Ligji u kufizon gamën e çështjeve që mund të shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, e cila do të  fokusohet vetëm tek ato më të rëndësishmet. Pas votimit të kësaj nisme, së bashku me Euralius, ministria e Drejtësisë do sjellë në Kuvend ligjet organike të gjykatave të tjera, përfshirë dhe atë Kushtetuese./Start/

                                                                                             2012-06-17 15:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›