E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ford Focus RS”, sinonimi i shpejtësisë maksimale



Njësia e parë serike e të shumëpriturit “Ford Focus RS” ka dalë ditë më parë nga kompania prodhuese në Gjermani. Me motor 2.5 litërsh turbo-benzinë, “Focus” zhvillon 300 kuaj fuqi së bashku me momentin më të madh rrotullues prej 440 Nm. Automjeti sportiv nga prodhuesi Ford arrin shpejtësinë 100 kilometra në orë për 5.9 sekonda ndërsa shpejtësia maksimale është 263 km/h. Shitja në Europë nis në fillim të muajit mars, ndërsa mendohet që tregu i madh do të jetë në Gjermani dhe Zvicër. Ky model konsiderohet si një nga sukseset e kësaj kompanie të madhe, e cila gjithmonë ka ditur të kënaqë klientët europianë dhe më gjerë. Krahasimi me modelin standard është pothuajse i pamundur jo vetëm për ngjyrat dominante dhe plot jetë, por edhe për funksionet e panumërta dhe komfortin. Prodhuesi gjerman këtë radhë na befason me automjetin më të ri me 3 dhe 5 dyer pas 11 milionë automjeteve të prodhuara që nga viti 1970. Gjatë kësaj kohe, automjetet më të suksesshme kanë qenë Ford Escort, Fiesta dhe Capri. Dizenjuesit e Ford-it i janë përkushtuar tërësisht këtij modeli duke e transformuar nga një automjet me dy volume në një automjet të papërmbajtshëm shpejtësie. Përsa i përket sigurisë në rrugë, Ford Focus RS përafrohet mjaft me rivalët “Mitsubishi Lancer Evo X” dhe “Subaru Impreza Ë///RX”. Sipas burimeve, ky automjet do të shitet me çmimin 30.000 euro. “Ford Focus RS” i ri do të arrijë tregjet e Rusisë, Anglisë, Zvicrës dhe të shumë shteteve të përparuara.

“Peugeot 3008”, publikohen fotot e para zyrtare

Pas një sërë fotografish të paligjshme, të cilat kishin paraqitur një automjet pothuajse të zakonshëm, këto ditë në internet janë paraqitur fotografitë zyrtare të automjetetit “Peugeot 3008”.
Ky model, me të cilin francezët do të tentojnë të konkurrojnë “Renault Scenic” dhe “Nissan Qashqai”, vizualisht nuk dallon shumë nga paraqitja konceptuale që na është paraqitur në sallonin e automjeteve të Parisit të vitit të kaluar. “3008” do të ndërtohet në platformën e përshtatur të modelit 308, që do të thotë se do të ketë edhe paletën e njëjtë të motorëve. Modeli bazik duhet të jetë 1.6 me benzinë dhe 120 KF, i përcjellë nga 1.6 turbo benzinë me 150 KF, ndërsa majën e ofertës do ta paraqesë ai turbo me naftë dhe 163 KF. Motori më i dobët me naftë në ofertë do të jetë ai 1.6 me 110 KF. Sipas raporteve nga Peugeot, forma hibride e automjetit me naftë do të mund të paraqitet në vitin 2011.
Opsionet do të përfshijnë xhamin panoramik të kulmit, frenën elektrike të parkimit dhe head-up display, i cili paraqet informacionet në xhamin e përparmë.

Sa do të kushtojë “Mercedes E-Class” i ri?

Pasi Mercedes ka prezantuar fotografitë e reja të E-Class dhe ka paralajmëruar premierën për panairin e automjeteve, i cili mbahet gjatë muajit mars në Gjenevë, ka ardhur koha për të ditur edhe çmimin e limuzinës gjermane. Modeli E220 në Gjermani do të kushtojë 41.590,50 euro dhe përveç dizajnit të ndryshuar tërësisht, eksterierit dhe enterierit i cili do të na lërë pa frymë, ka fituar edhe një paletë të motorëve të avancuar me benzinë dhe naftë, të cilët zhvillojnë më shumë kuaj fuqi me shpenzime më të vogla dhe emetim më të vogël të gazrave të dëmshëm. Tre motorët e rinj me naftë dhe nga katër cilindra fshihen pas shenjës 200 (136 KF), 220 (170 KF) dhe 250 CDI (204 KF) shpenzojnë vetëm 5.3 litra karburant në ciklin e kombinuar dhe përmbushin normat Euro 5. Ndërsa modeli E350 Bluetec (231 KF), me naftë dhe gjashtë cilindra, i cili do të paraqitet nën kapakun e E-Class në vjeshtë, që tani përmbush normat Euro 6 që janë parashikuar për vitin 2014.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›