Sonte në Vizion Plus, historia më e jashtëzakonshme: Një jetë e ndarë mes tre kontinentesh!
Fillimviti 2009 riktheu drejtpërsëdrejti të shtunave në mbrëmje, në ekranin e Vizion Plusit programin që tashmë është bërë pjesë e mbrëmjeve të mijëra familjeve shqiptare, “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”. Natën e fundit të programit të vitit 2008 dy prindër nga Berati bënë thirrje për ndihmë, pasi djali i tyre i vogël 5-vjeçar, Mateo Gërxhi, vuante nga zmadhimi i zemrës. Para së të vinte në program ai kishte kryer dy ndërhyrje kirurgjikale mjaft të kushtueshme, por operacioni i tretë nuk ishte realizuar në kohë për mungesë parash. Në sajë të sensibilizimit publik nga programi i Magjistarit u arrit që brenda pak ditëve të siguroheshin 11 000 euro, ose 1 400 000 lekë, një shumë e nevojshme për të kryer në mënyrë urgjente operacionin, i cili po i kushtonte djalit jetën. Nga kontributet e shqiptarëve nga mbarë Shqipëria, Europa dhe SHBA-të, të derdhura në numrin e llogarisë bankare në Bankën Credins, familja Gërxhi mori nga Rudina Magjistari tre çeqet në leke, euro dhe dollarë, në total 14 milionë lekë të vjetër, shumë e cila do t`i japë mundësinë dhe shansin Mateos të jetojë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.
Nata u pasua nga një kolazh gjetjesh të pjesës së parë të sezonit të programit, duke risjellë në vëmendje të teleshikuesve emocionet dhe momentet më të bukura të bashkimit dhe lidhjes së kontakteve të njerëzve me të afërmit e tyre. Tri historitë e të humburve, të trajtuara javë të shkuara në program, u rikthyen edhe njëherë për teleshikuesit, pasi natën e së shtunës historia e Admir Tozajt, Arta dhe Liman Çakës dhe Muhamet Dokës kishin një emërues të përbashkët: Kontaktet e tyre ishin gjetur, por nga këmbëngulja paraprake e stafit të gazetarëve ata nuk pranonin të flisnin me familjet e tyre. Për të folur për këtë fenomen ishin ftuar nënat e personave të humbur, sociologu dhe autori i disa librave me temë sociale, z. Gëzim Tushi dhe shkrimtarja dhe skenaristja e disa filmave artistikë, znj. Shpresa Vreto. Këtë herë këndvështrimi i problemit ishte ndryshe, më i prekshëm, më i vërtetë për t`u dhënë të gjithëve të kuptojnë, familjes, shoqërisë, por dhe vetë protagonistëve të historive të kësaj natyre se pas kërkimeve dhe një pune voluminoze nga stafi i Rudina Magjistarit, këta persona nuk kanë humbur kontaktet, por nuk pranojnë të kenë kontakte me të afërmit e tyre. Mesazhi që u përcoll nga biseda mes nënave dhe të ftuarve ishte tejet njerëzor. Askush nuk mund të ndërtojë të ardhmen e tij pa kthyer kokën prapa, duke shkelur të kaluarën e duke fshirë identitetin. Një solidaritet i gjithanshëm, që buronte prej thirrjes së nënave, të cilat me lot në sy e të veshura me të zeza nga pikëllimi, u përmalluan për bijtë e tyre dhe nuk arrinin të shpjegonin dot këtë mungesë kaq të gjatë të kontakteve mes tyre.
Ndonjëherë ëndrrat nuk duhen lënë të flenë në sirtar, por duhen rrëfyer diku për t`i realizuar ato. Kështu ka ndodhur me z. Rasim Imami nga Tirana, aktualisht 80 vjeç i cili kërkoi ndihmën e programit në Vizion Plus për t`i mundësuar një takim me shokun e tij të shkollës, z.Halil Hoxha. Kanë qenë vitet e studimit 1948-1950 në Akademinë e Ndërlidhjes në Kiev vendi ku shokët janë njohur dhe kanë krijuar një miqësi të fortë mes tyre, miqësi e cila pas mbarimit të studimeve u shndërrua në një kujtim që ushqehej me shpresa së një ditë do të takoheshin edhe njëherë si dikur. Që prej vitit 1950 Rasimi nuk e kishte parë më Halilin dhe takimi pas 58 vitesh me të ishte shndërruar në një ëndërr që s`do të mund të realizohej dot kurrë. Sapo stafi i gazetarëve mori në dorë historinë, ka filluar menjëherë kërkimet në terren dhe ka mundësuar pas 58 vitesh takimin mes shokësh. Një takim me emocione të mëdha, të shoqëruara nga kujtime e çaste të papërsëritshme që kishin kohë të cilat ruheshin në zemrat e dy miqve të ndarë nga rrjedha e jetës. Dikur të rinj, tashmë të mbuluar nga thinjat, shokët i kanë rrëfyer njëri-tjetrit për jetën familjare, por edhe duke ndarë mes tyre kujtimet e shkollës, e asaj kohe në dukje të largëta, por që ruheshin ende të freskëta në memorien e tyre. Disa pamje nga Kievi si dhe një këngë ruse e periudhës së studimeve vijoi rrëfimin e emocioneve të të dy shokëve gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të programit. “Më rikthyet sërish në ato vite”, - është shprehur i përmalluar Halili përmes telefonit, e ndërsa Rasimi, i ftuar në studio, ka pohuar se takimi me shokun e tij të studimeve ka bërë realitet ëndrrën e tij më të madhe dhe kjo falë programit të të shtunave në mbrëmje në Vizion Plus. T`i kërkosh falje dikujt, por dhe të kuptosh gabimin e bërë duke mos e përsëritur më atë, kjo nuk ndodh shpesh. Personazhi i radhës në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” ishte një 29-vjeçar nga Shkodra, i quajtur Ardit Mancaku. Edhe pse në pamje të parë, ai mund të ngjasonte jo si gjithë të tjerët për shkak të gjatësisë së tij prej 1 metri, Arditi kishte kaluar një fëmijëri mjaft të vështirë, por e kishte përballuar më së miri jetën. Përreth një vit ai kishte punuar te një fabrikë këpucësh, por për një papjekuri të momentit ai ishte larguar nga puna duke mos vlerësuar në këtë mënyrë dashamirësinë e pronarit të kësaj fabrike, z. Paulin Radovanit. Ishte pikërisht ky fakt që shtyu Arditi t`i shkruante programit në Vizion Plus për t`i kërkuar falje ish-pronarit të tij, por edhe për ta falënderuar atë për të gjithë mirësinë që ai i kish falur teksa kishte punuar në fabrikë duke e trajtuar si një ndër punëtorët më të dalluar të fabrikës. Gjesti mjaft njerëzor nga ana e Arditit bëri efektin e tij pasi në sajë të ndërhyrjes së programit, Arditi rifilloi punë duke kuptuar gabimin me premtimin që këtë herë do të punonte fort dhe do të ishte mirënjohës për këtë mundësi të dytë që atij iu ofrua tashmë nga punëdhënësi i tij, Paulini. Meqenëse Arditi e vizitonte Tiranën për herë të dytë dhe kishte kohë që ëndërronte për të takuar Rudina Magjistarin dhe stafin e saj, të cilin e kishte parë vetëm përmes ekranit, Rudina mendoi për t`i bërë një surprizë të veçantë, pikërisht ftesën për të kaluar me të dhe stafin e saj, një të diel në një nga pikat turistike më magjepsëse të Tiranës, pikërisht në malin e Dajtit, duke realizuar një udhëtim me teleferik nëpërmjet “Dajti Ekspres” si dhe një drekë të shijshme në restorantin pranë tij, “Ballkoni i Dajtit”.
24 Janar 2009