E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaska, “një shampanjë” për trupin tuaj



Pas një dite të gjatë takimesh, telefonatash bezdisëse apo problemesh me partnerin tuaj, do t’ju bënte mirë të relaksoheshit në një vaskë me ujë të ngrohtë, teksa në sfond dëgjoni muzikën e preferuar ose lexoni një libër interesant. Ndërsa shumica e njerëzve preferojnë të bëjnë një dush në mëngjes para se të nisen për në punë, një zhytje në vaskë shkon përtej këtij mendimi, duke marrë trajtën e një luksi disi të domosdoshëm. Kjo eksperiencë është mënyra perfekte për të larguar stresin pas një jave të çmendur.
Si të përgatisim një vaskë aromatike relaksuese
Për ta bërë vaskën jo një mjet të thjeshtë pastrimi, e rëndësishme është të përdorim vaj aromatik. Për secilin nga ne vaska është një mënyrë për të qetësuar trupin, por dhe shpirtin. Një vaskë e ngrohtë me vajin tuaj të preferuar do të ishte eksperiencë e paharrueshme. Por, nga ana tjetër, nëse nuk dimë si ta përgatisim atë siç duhet, mund të ndodhte e kundërta, duke na u shpërblyer i gjithë stresi në lodhje dhe mërzitje. Vajrat aromatikë quhen ndryshe “vajra të jetës” dhe efekti i tyre ka të bëjë me qetësimin dhe freskimin kur shtohen në vaskën me ujë të ngrohtë. Në këtë mënyrë, vajrat na detyrojnë të mendojmë se duhet t’i përdorim të paktën një herë në ditë për t’u gjallëruar. Ju do të jeni më të qetë dhe më të qartë. Pas këtij trajtimi special me siguri do të zhyteni në një gjumë të thellë, për të nisur një tjetër ditë të gëzueshme. Shumë vajra janë të njohura për karakterin romantik. Vetëm disa pika në vaskën tuaj dhe disa qirinj të ndezur do të mjaftonin të kalonit disa çaste të mrekullueshme me partnerin tuaj. Më të këshillueshmit për t’u përdorur në këtë rast janë vaji i trëndafilit, ose përzierje lulesh me ngjyrë të ndezur. Në sipërfaqen e ujit vendosni disa petale trëndafili të kuq dhe përpiquni të shijoni gjithçka në maksimum. Efektet e menjëhershme të një banje aromatike në vaskë do të ndiheshin menjëherë në frymëmarrje, në lëkurën tuaj dhe në sistemin nervor. Efekt pozitiv në këto raste do të kishte edhe për problemet muskulare. Këto produkte aromatike hidhen në ujë pak çaste para se të përgatitemi për të hyrë në vaskë. Vajrat që përdoren për larjen në vaskë përmbajnë ekstrakte të Vitaminës E dhe së bashku me vajin tuaj të preferuar mund ta ndihmojnë vajin e zakonshëm të mbetet në sipërfaqen e ujit për një kohë më të gjatë.
Për një vaskë me shkumë të dendur
Nëse preferoni një vaskë të mbushur me shkumë shtoni pak qumësht pluhur, sapun të një cilësie të mirë dhe disa petale të freskëta trëndafili. Mos harroni të shtoni vajin e preferuar. Për femrat, mënyra më e mirë për largimin e stresit do të ishte një vaskë e mbushur me ujë me rozmarinë, ndërsa meshkujt mund të përdorin portokall të athët ose vaj ylang-ylang (përftohet nga lulet e verdha të një peme që rritet në Indonezi dhe Filipine), veçanërisht në mëngjes për një fillim më të bukur të ditës.
Vajrat aromatike përdoren gjerësisht nga industritë më të specializuara për prodhimin e produkteve për larje. Përfitoni një vaskë me vajra, kripëra dhe flluska të dendura. Zëvendësoni ose shtoni esenca të tjera vajore, erëza, për t’i bërë këto momente relaksi sa më personale.
Momente intime në vaskën në formë zemre
Mund të kaloni disa çaste të paharrueshme me partnerin tuaj në një vaskë në formë zemre me ngjyrë të kuqe. Ajo me siguri do të shpeshtonte rrahjet e zemrës suaj duke ju bërë të ndiheni më romantikë dhe pasionantë. Vaska në formë zemre për dy persona është një nga risitë teknologjike ku përfshihen hidromasazhi si dhe një sistem më special masazhi rrotullues për shpinën dhe bustin. Ju mund të kaloni orë të tëra në relaks me partnerin tuaj duke kaluar çaste të paharrueshme. E veçanta e vaskës në formë zemre qëndron në faktin që mund të vendoset në dhomën tuaj të gjumit dhe përqark saj disa petale trëndafili ose qirinj aromatikë. Ajo kushton 2265 dollarë dhe është mjaft praktike.
ǒështë vaska, përbërja e saj
Vaska është një pajisje hidraulike e instaluar, e cila shërben për t’u larë. Pajisjet më moderne janë të mbështjella nga akriliku ose nga tekstili me fije qelqi, por më të preferuara janë ato pajisje në të cilat janë të ndërthurura të dyja. Materialet që përdoren për formimin e skeletit të tyre janë çeliku, hekuri, por edhe druri. Vaska përgjithësisht vendoset në banjë, si një pajisje e veçuar, ose pranë dushit. Më të përdorshme janë dy lloje vaskash: stili perëndimor, në të cilin duhet patjetër të qëndrojmë të shtrirë (ato në përgjithësi janë të cekëta dhe të gjata); stili tjetër është ai lindor dhe në këtë lloj vaske rrihet ulur. Përdoren gjerësisht në Japoni dhe janë tepër të shkurtra dhe të thella.
Historia e vaskës
Sistemet e para hidraulike datojnë që në vitin 3300 para lindjes së Krishtit, në afërsi të lumit Indus, në një nga luginat indiane. Por vaska e parë për larje personale është zbuluar në ishullin e Kretës në Greqi dhe ishte 1.5 metra e gjatë. Më e njohura për përdorimin e vaskave është Perandoria Romake. Rreth vitit 500 para lindjes së Krishtit qytetarët nxiteshin të laheshin në banjat e mëdha publike. Dhomat private të larjes ishin më tepër me funksion zbukurues dhe ajo kishte formën e një pishine të mbyllur. Instalimet moderne hidrosanitare filluan të përdoreshin në shekujt 19-20. I pari që shpiku vaskën personale ishte Sër Xhon Haringron dhe ajo u përdor nga Mbretëresha Elisabeta I në vitin 1596.

24 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›