Formalizohet Lëvizja “Nano” në grupin e PS-së, Malaj: Kemi detyrime morale t’i ofrojmë Fatos Nanos kandidimin

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj u shpreh sot se duhet një kandidat politik për presidentin e ardhshëm. Duke u ndaluar tek kandidatura e Fatos Nanos, Malaj tha se ai ka të drejtë morale nga PS që ta kandidojë. “Rasti Nano nuk duhet konsideruar si çështje personale e Nanos. Nga 2008 u ndryshua Kushtetuta për të shmangur krizat, që realisht kanë qenë më të mëdha. Zgjerimi i demokracisë është shumë më produktiv sesa përqendrimi i pushteteve në duart e një grupi njerëzish. Procesi që nisi Nano ktheu sensibilitetin publik në problemet që ka demokracia. Nano hapi një debat, nuk mblodhi firma, debat i cili u tentua të mbyllej në takime të fshehta. Nano ka të drejtë morale të kërkojë mbështetje të PS, dhe PS ka të drejtë morale t’ia ofrojë diçka të tillë”- theksoi Malaj. Ai theksoi se do ishte humbje për vendin nëse kandidatura e vetme del nga mazhoranca, pa konsensusin e opozitës. “Mendoj se do të ishte mirë që presidenti të dilte nga radhët politike. Mazhoranca duhet të qartësojë ç’do të arrijë, janë prezent kriza e reformës zgjedhore, parlamentare , ekonomike, ajo mund ta bëjë diçka të tillë, por nuk do të ishte zgjedhje. Vendi nuk fiton gjë, mund të fitojë mazhoranca që të na kthejë në atë kohë ku vendimet përqendrohen në duart e disa personave, pushtet absolut. Zgjatimi i ngërçeve politike nuk i bën mirë vendit. PS nuk pengohet të shkojë me kandidat dhe s’e pret këtë të drejtë nga mazhoranca. Kjo është më tepër një lojë për të zvarritur, sesa dëshirë për të dhënë zgjidhje”- theksoi ai.