Formalizohet shpërbërja e PS - themeluesit, tek Lëvizja e Re

Akademia e Arteve është shndërruar dje në manifestimin më kuptimplotë të skizmës së re që po ndodh tek Partia Socialiste. Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Arben Malaj, Kastriot Islami e Andis Harasani kanë denoncuar klimën përjashtuese e manipulative që po sjell kongresin e 5 nëntorit. Idetë e reformimit i kanë përqafuar Rexhep Meidani, Musa Ulqini, Edlira Haxhiymeri dhe një sërë socialistësh të strukturave partiake, të cilët s’pranojnë diktatin e 99-shave, që janë emëruar prej Edi Ramës
Malaj: Me këtë gjendje, PS-ja mbetet në opozitë edhe më 2013-n
“Mendimi Ndryshe” në PS zhvilloi dje në Tiranë në sallën e Universitetit të Arteve, takimin përmbyllës të bashkëbisedimit kombëtar mbi “Modernizimin e Partisë Socialiste”. Më pjesëmarrjen e deputetëve Arben Malaj, Kastriot Islami dhe Andis Harasani, sekretares për Shoqërinë Civile Edlira Haxhiymeri, anëtares së kryesisë Eva Allushi, ish kryetarit të PS-së për degën e Tiranës, Musa Ulqini dhe ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, “Mendimi Ndryshe” shpalli distancimin nga manipulimi i Kongresit të 5 nëntorit, ndërsa njëherazi dha alarmin për PS-në. Nga ana tjetër, Edi Rama thërriti në një mbledhje emergjente kryesinë socialiste, edhe pse mjaft anëtarë të saj, nuk morën pjesë, për shkak të angazhimit në Akademinë e Arteve. Por, Rama ia doli që me gjysmë-kryesinë të miratojë ndryshimet në statut dhe programin e ri politik të partisë, të cilët do të prezantohen më pas në Kongres
Malaj: Rama e ktheu PS-në në biznes fitimprurës – të luftojmë klientelizmin
Deputeti socialist dhe njëherazi nismëtari i bashkëbisedimit të hapur me socialistët, Arben Malaj, tha se Partia Socialiste ka nevojë për një reformë modernizuese, e cila s’duhet të mbetet thjeshtë epilog i fjalimeve të gjata të Edi Ramës, të cilat kurrsesi nuk synojnë kthimin e PS-së në pushtet. Malaj iu drejtua socialistëve që besojnë në alternativën moderne të social-demokracisë, se PS duhet të shpëtohet nga gërryerja, kultivimi i inkompetencës dhe mungesa e vizionit. Sipas tij, socialistët duhet të besojnë te fuqia e ndryshimit, jo te ajo që propagandon Rama, pasi është thjesht një slogan joshës që s’ka lidhje me drejtimin e PS. “Nëse nuk ballafaqojme objektivin tonë politik të ardhjes në pushtet me mjetin për arritjen e këtij qëllimi – “shëndoshjen e PS-së nga gërryerja që ka kultivuar inkompetenca politike dhe inkoherenca institucionale e drejtimit të PS-së mungesa e vizionit dhe pazotësia tashmë e konfirmuar e tij për të ngjallur shpresë dhe besim te njerëzit” - rikthimi i PS në pushtet ka gjasa të vonohet më shume. Ja përse prej tre muajsh kam takuar e biseduar me dhjetëra prej jush, me njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme, me njerëz që besojnë te fuqia e ndryshimit, e cila për fat të keq është vetëm një slogan joshës në fjalët e kryetarit aktual të PS dhe aspak në drejtimin konkret të PS-së”- tha Malaj. Deputeti socialist komentoi edhe ngërçin politik të shkaktuar nga Partia Socialiste, duke theksuar se “i shkaktoi familjeve shqiptare kosto të rënda, dështim të përsëritur në sfidën tonë drejt BE-se, bëhet gjithnjë e më e domosdoshme gjetja e rrugëdaljeve nga kjo krizë”. “Sistemi i meritokracisë është zëvendësuar me klientelizmin. Besnikëria ndaj kushtetutës është zëvendësuar me besnikërinë ndaj kryetareve. Bojkotet janë bërë më të shpeshta, radikalizimet e partive politike më të mundshme, shitblerja e deputeteve dhe të zgjedhurve politikë një biznes fitimprurës shumëpalësh”- tha Malaj, ndërsa prezantoi pikat e modernizimit të PS. “Ja pse modernizimi i PS, braktisja e bojkotit si një mjet ekstrem i luftës politike, ndalja e radikalizmit të saj, ndalja e klientelizmit, reduktimi i pushteteve të përqendruara në pak individë, reduktimi i centralizimit të vendimmarrjes në PS, mos bllokimi i vetorganizimit të forumit rinor dhe të gruas, janë elemente thelbësore të reformave të domosdoshme për modernizmin e PS. Për çdo element të kësaj reforme modernizuese kam bërë propozimet konkrete në forumet e PS. Modernizmi i politikës shqiptare nuk është një proces i lehtë, por tërësisht i mundshëm, nuk është një proces që duhet zvarritur, por një proces që duhet të nisë menjëherë”- u shpreh Malaj. Sipas tij, modernizmi i PS nuk është një proces që i duhet lënë spontanitetit, por një proces që duhet të jetë në zemër të reformave që PS duhet të bëjë që kur është në opozitë. “Si të jenë partitë politike sot ashtu do të jetë qeverisja edhe opozita e vendit nesër. Koha për qartësuar reformat modernizuese të Partisë Socialiste kundrejt sfidave thelbësore të vendit është sot. Nesër është vonë, më shumë çoroditje, largime, pakënaqësi dhe indiferentizëm do të dobësojnë edhe më tej gjendjen që edhe tashmë mund të konsiderohet kritike në të cilën ndodhemi. Të gjitha këto kanë vlera vetëm atëherë kur Partia Socialiste arrin të jetë më pranë njerëzve të thjeshtë, kur arrin të tërheqë drejt saj më shume përkrahës, kur arrin të largojë përçarjen, kur arrin të konsolidohet për të qenë serioze, e qartë dhe konsistente në qëndrimet politike dhe mbi të gjitha, kur të arrijë të jetë një forcë reale përcaktuese në skenën politike shqiptare, e denjë për të drejtuar qeverisjen e vendit”- tha Malaj.
Pikat e platformës së “Mendimit Ndryshe”
-Braktisja e bojkotit si mjet ekstrem i luftës politike
-Ndalja e radikalizmit të saj
-Ndalja e klientelizmit
-Reduktimi i pushteteve të përqendruara në pak individë
-Reduktimi i mandateve të njëpasnjëshme për të njëjtin individ në parti apo në qeverisje
- Reduktimi i centralizimit të vendimmarrjes në PS
- Mos bllokimi i vetëorganizimit të forumit rinor dhe të gruas
- Nxitja e përkushtimit dhe meritokracisë si element i promovimit në karrierën profesionale dhe politike
...