E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formohet Lëvizja për Kosovë dhe Metohi

Me qëllim të krijimit të kushteve për serbët e Kosovës dhe për krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve, disa parti politike dhe organizata serbe kanë vendosur që të bëjnë një lëvizje të re, të quajtur Lëvizja për Kosovë dhe Metohi, koordinator i së cilës është caktuar Mirosllav Sholeviq, njëri prej pjesëmarrësve në mitingun e Gazimestanit në vitin 1989, nga i cili mori hov politik Sllobodan Millosheviq.

Në një konferencë për media në Qendrën Mediale në Çagllavicë, Sholeviq ka thënë se qëllimi i kësaj lëvizje është që të ketë një qëndrim unik sa i përket krijimit të kushteve për të kthyerit, por edhe për ata që jetojnë në Kosovë.

“Çështja thelbësore është që ta bëjmë një organizatë unikate me qëllim të theksuar që të luftojë për kushtet më të mira të atyre që kanë mbetur në Kosovë dhe për formimin e kushteve për një kthim masiv të neve të cilët jemi larg Kosovës”, ka thënë ai.

Pjesëmarrjen e tij si organizator në Gazimestan para 20 vjetësh, ai e ka mohuar duke thënë se ka qenë pjesëmarrës i thjeshtë dhe se i është mveshur nga fuqi të ndryshme të Beogradit se ai është njeri i Millosheviqit.

“Millosheviqi në Kosovë nuk ka ardhur pse ka dashur, por ne me presionet tona e kemi sjell këtu. Është organizuar Gazimestani në të cilin kam qenë pjesëmarrës i thjeshtë. Unë atëherë kam qenë jashtë politikës, nuk më ka dashtë ai pushtet mua dhe sigurisht edhe tash disa pushtete nuk më dëshirojnë. Ne kemi qenë lëvizje autoktone, institucione të askujt nuk kemi pranuar dhe të gjithë ata që na shohin sot e dinë që ne prej askujt nuk marrim korrigjime, por fuqi të ndryshme të Beogradit kanë dashur të na prezantojnë atëherë se ne kemi qenë të Millosheviqit, të atij e të atij”, ka thënë Sholeviq.

Ndërkohë, Momqillo Trajkoviq ka theksuar se me çështjen e kthimit dhe të qëndrimit të serbëve të formohet një asociacion i përbashkët, i cili do të quhet Lëvizja për Kosovë dhe Metohi, ndërkaq zgjidhja e problemeve të serbëve të Kosovës do të kërkohet në Beograd.

“Në Beograd po ashtu do ta mbajmë konferenca për shtyp, kurse atje nga shteti ynë do të kërkojmë që t’i zgjidh të gjitha problemet e shumta dhe t’i zgjidh problemet të cilat duhet të jenë në funksion të forcimit të pozicionit të serbëve, por edhe të shqiptarëve tjerë, por edhe thjesht që të vendoset kthimi i të zhvendosurve”, ka thënë ai.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, Sllavisha Petkoviq, i cili në mandatin e kaluar ka qenë edhe ministër për Komunitete dhe Kthim, ka thënë se asnjëri prej ministrave pasardhës të tij nuk ka bërë më shumë për kthim se ai.

Ai ka thënë se në këtë lëvizje të re është pasi që kërkon të jetë partner i institucioneve të Kosovës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare, e jo vasal i askujt.

“Arsye pse unë kam hyrë në këtë lëvizje është për arsye se viteve të fundit institucionet e Kosovës kërkojnë vasalë në popullatën serbe dhe nuk dëshirojnë partnerë. Në këtë formë qeveria e sotme vazhdimisht ka dashur që të ketë vasalë, por ne nuk dëshirojmë të jemi vasalë, por dëshirojmë të jemi partnerë edhe i qeverisë së Prishtinës edhe në Serbi edhe i bashkësisë ndërkombëtare për të gjitha problemet që i kemi në Kosovë, jo vetëm bashkësia serbe, bashkësia serbe ka probleme ndoshta më shumë, por edhe të tjerët”, ka thënë ai.

Grupi nismëtar i kësaj lëvizje ka njoftuar se këtë lëvizje do ta regjistrojë edhe në Kosovë edhe në Serbi, sipas ligjeve përkatëse, ndërkohë që sipas tyre, deri në fund të prillit, ajo formimi i saj do të jetë i përfunduar.
Qëllimi kryesor i kësaj lëvizje, është krijimi i një subjekti unikat që do të dalë me propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për krijimin e kushteve për kthimin e serbëve të zhvendosur, por edhe të pakicave tjera që jetojnë në Kosovë. /Kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›