E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi duhet të jep dorëheqje

Drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke u referuar në raportin e fundit të UNDP-së, kanë drejtuar prapë kritika në adresë të krerëve të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi.

Kritikat në emër të AAK-së i ka bërë të hënën gjatë një konference për media, sekretari i përgjithshëm i partisë, Burim Ramadani, i cili ka bërë edhe një krahasim mes qeverisjes aktuale me atë të para disa viteve nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se është i saktë raporti i UNDP-së që thekson humbjen e besimit qytetarë ndaj qeverisjes Thaçi, sepse gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm rritje të korrupsionit dhe mospërmbushje të premtimeve e hapje të vendeve të reja të punës.

“Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, arsyet e humbjes së besimit të qytetarëve në qeverinë Thaçi fillojnë nga korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e vendeve të reja të punës, mungesa e investimeve dhe mospërmbushja e premtimeve zgjedhore e deri të mentaliteti komunist qeverisës. Qeveria Thaçi realisht po rrit maksimalisht pesimizmin politik në Kosovës edhe raporti i UNDP-së ka tregu se ky pesimizëm politik në Kosovës është rritur në shkallën prej 41 për qind”, ka thënë Ramadani.

Në këtë rast, sekretari i AAK-së ka thënë se derisa qytetarët e Kosovës i ka kapluar varfëria dhe papunësia, qeveria e Hashim Thaçit e ka rritur luksin dhe shpenzimet.

Duke i vazhduar kritikat në adresë të qeverisë dhe konkretisht kryeministrit Thaçi, Ramadani ka thënë se humbja e besimit qytetar është e arsyeshme, ndërsa ka bërë edhe një krahasim mes qeverisjes aktuale me atë të para disa viteve nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Me të njëjtin standard, me të njëjtin raport që ka bërë UNDP-ja në periudhën janar-mars 2005 kur në krye të qeverisë ka qenë kryeministri Haradinaj, kënaqshmëria e qytetarëve me qeverinë ka qenë 81.2 për qind, ndërsa tash më për kryeministrin Thaçi është 36 për qind. Pra kemi të bëjmë me rreth 50 për qind dallim të kënaqshmërisë së qytetarëve me qeverinë dhe kryeministrin. Prandaj, AAK mendon se e vetmja rrugëdalje për kryeministri Thaçi pas humbjes së besimit të qytetarëve është dorëheqja e tij e menjëhershme”, ka thënë ai.

Në argumentimin e akuzave për korrupsion, Rasmadani ka përmendur tenderin me targat e automjeteve, pastaj tenderit për kompjuterizimin e shkollave, si dhe shumë çështje tjetra dhe tenderë që lidhen me asfaltimin e rrugëve.

Ndërkohë, sekretari i AAK-së e ka shfrytëzuar edhe takimin e liderëve rajonal të Ballkanit në Bërdo të Sllovenisë për të drejtuar kritika në adresë të kryeministrit Thaçi.

“Ajo që duhet të them për Bërdon është se jam e sigurt që kryeministri Thaçi është ndjerë keq, kur ka dëgjuar për zhvillimet që po ndodhin në vendet në rajon dhe hapat e shpejt që po ndërmarrin në integrimet evropiane, derisa Kosova ka mbetur prapa”, është shprehur ai.

Ditë me parë, UNDP-ja ka publikuar Raportin e Paralajmërimit të Hershëm, në të cilin theksohet se është rritur dukshëm niveli i pakënaqësisë së qytetarëve me Qeverinë, Kuvendin, UNMIK-un, por edhe me punën e EULEX-it, ndërsa është rritur ai për Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›