Shpresat e Bushatit debutojnë me humbje
Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka debutuar me humbje në Grupin 10 eliminator të Evropianit të kësaj moshe. Në stadiumin e Elbasanit, "Ruzhdi Bizhuta", të besuarit e trajnerit Artan Bushati u thyen 1-0 nga bashkëmoshatarët skocezë. Vendimtare në këtë rezultat ishte penalltia e realizuar nga Kristofor Mekguajër, kur mungonin vetëm katër minuta nga mbyllja e kohës së rregullt. Takimi, i cili regjistroi përballjen e parë historike mes skuadrave të 21-vjeçarëve të dy vendeve, ishte mjaft interesant dhe ka dhuruar emocione të shumta. Kuqezinjtë rrezikuan të parët portën, madje në harkun e dhjetë minutave Hyka, Lilaj e Bici kanë qenë pranë golit, me këtë të fundit që kishte rastet më të pastra pas dy goditjeve nga këndi. Miqtë tentuan të reagonin me Golduill, Shinin dhe Mërfin, por Shpëtim Moçka nuk e lejoi prekjen e rrjetës. Talenti i Flamurtarit vazhdoi t‘i përgjigjej mirë tentativave të skocezëve edhe në minutat e para të pjesës së dytë, duke ruajtur barazimin. Në anën tjetër, skuadra e Bushatit ka rrezikuar me Januzin dhe Vilën, duke mos mundur të gjejë avantazhin. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim dhe Shqipëria e Skocia do të ndanin nga një pikë, Moçka shkakton penallti. Kristofer Mekguajër i shpëton mbulimit të mbrojtjes, driblon edhe portierin kuqezi, që e frenon në mënyrë të parregullt. Lojtari zëvendësues e ekzekuton vetë penalltinë, duke e dërguar topin në rrjetë. Në dizavantazh, e kur kishin mbetur vetëm katër minuta lojë, 21-vjeçarët tanë nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Tentativa e fundit, për të rikthyer baraspeshën, u regjistrua pas devijimit me kokë të Januzit, por sulmuesi i Vorsklas në Ukrainë ishte i pasaktë. Më 1 prill, Shqipëria luan takimin e dytë, ku do të jetë sërish përballë skocezëve në Falkirk.