E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari A1, në mes të shkurtit, si plotësohet

Në muajin shkurt do të shpërndahet dhe do të nisë plotësimi i formularit A1, sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Formulari nuk pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në krahasim me vitet e kaluara të maturës dhe do të plotësohet nga maturantët, në bazë të guidës që është vendosur në Rregulloren e Maturës Shtetërore, që do të publikohet ditët në vijim.
Formulari A1
Formulari A1, që pritet të jetë i njëjtë me vitin e kaluar, duhet plotësuar nga vetë maturantët. Ai duhet plotësuar me germa kapitale për t’u dorëzuar më pas pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH).
Tek formulari A1 duhet të shkruhet emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit si dhe emri i shkollës. Në bazë të tabelës nr. 1 që gjendet në të, duhet të shënohet numri që përfaqëson dega që po ndjek ose ka ndjekur maturanti.
Ndërsa nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit, shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Kur nxënësi ka mbaruar studimet para vitit 2009, qarkohet shkronja (U).
Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Tek lista e lëndëve me zgjedhje duhen qarkuar dy lëndët me zgjedhje që do të jepen provim dhe numrat që u korrespondojnë.
Etapat deri te formulari
Por përpara se të shpërndahet formulari A1 për plotësim nga maturantët, ata do të presin dy hallka të tjera të Maturës Shtetërore. Bëhet fjalë për rregulloren e re të saj, që pritet të dalë në ditët në vijim, e ku përcaktohen rregullat e provimit, mënyra se si duhen plotësuar tezat, përqindja e pyetjeve me zgjedhje dhe me zhvillim, ato çka nuk duhet të bëjë maturanti gjatë provimit, të drejtat e tij dhe detaje të tjera, që përbëjnë në vetvete mekanizmin funksionues të Maturës Shtetërore. Rregullorja bëhet publike në të gjitha shkollat e mesme të vendit, si edhe në media dhe përmban gjithashtu edhe datat e provimeve të detyrueshme dhe të provimeve me zgjedhje.
Ndërkohë, pas pak ditësh, Ministria e Arsimit do të bëjë publike edhe programet orientuese për të gjitha lëndët që mund të jepen provim në Maturën Shtetërore. Këto programe orientuese përmbajnë të gjitha mësimet nga ku mund të ketë pyetje në provimet e detyruara ose ato me zgjedhje të maturës, si edhe kapitujt që nuk do të jenë pjesë e provimeve

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›