BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit
Banka e Shqipërisë vendos të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e radhës mori në shqyrtim Deklaratën e Politikës Monetare për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009, ku analizoi në hollësi ecurinë e treguesve ekonomikë dhe monetarë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2009, si dhe projeksionet makroekonomike dhe balancën e rreziqeve që shoqërojnë ato për muajt në vazhdim. Këshilli mbikëqyrës vendosi që të mbahet e pandryshuar në nivelin 5.25 për qind norma bazë e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes me afat maturimi njëjavor. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kjo normë interesi është në përputhje me synimin e Bankës së Shqipërisë për mbajtjen e inflacionit afër nivelit objektiv për periudhën afatmesme. Guvernatori Fullani tha dje se vendimi i Këshillit Mbikëqyrës për mbajtjen e pandryshuar të normës bazë të interesit synon ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë, duke i konsideruar ata si një parakusht të domosdoshëm për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ai gjithashtu garanton mbështetjen e duhur monetare për ekonominë në këtë fazë të zhvillimit të saj. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë dhe në përputhje me objektivin e saj kryesor. Një ndër pikat kryesore të deklaratës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ishte ajo mbi borxhin publik. Guvernatori kërkoi nga qeveria të bëjë kujdes dhe të ulë borxhin publik me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Të ardhurat në rënie, si dhe shpenzimet e larta buxhetore kanë thelluar deficitin, të cilin qeveria është detyruar ta financojë nëpërmjet kredive. Kjo ka rritur borxhin publik të vendit deri në nivelin e 58% të produktit të përgjithshëm kombëtar. “Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe deficiti buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth 58% të PBB-së në fund të muajit nëntor. Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal me qëllim reduktimin e borxhit përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik të vendit”, - theksoi Fullani.
Në këto kushte Banka e Shqipërisë ka mirëpritur nismën e Ministrisë së Financave për të rishikuar buxhetin e këtij vitit, projekt që është dërguar për miratim në qeveri. “Banka e Shqipërisë mirëpret lëvizjet e fundit për sa i përket korrektimit të buxhetit. Është në linjë të plotë me sugjerimet tona, është në linjë të plotë me zhvillimet ndërkombëtare”, - u shpreh Fullani. Guvernatori Fullani ka pranuar se presion mbi ekonominë e vendit do të kenë edhe përmbytjet në Qarkun e Shkodrës. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo situatë do të shoqërohet me më pak produkte bujqësore në treg, ndërkohë nuk përjashtohen edhe ndikimet mbi buxhetin, megjithëse kjo do të jetë në varësi të faturës së dëmeve, e cila ende nuk ka dalë. Sipas BSH-së, analiza e treguesve të disponueshëm tregon se ekonomia shqiptare ka pasur një rritje ekonomike pozitive gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Megjithatë, këta tregues sugjerojnë se ritmi i rritjes është karakterizuar nga një ngadalësim progresiv gjatë vitit 2009. Kjo ecuri është kushtëzuar nga reduktimi i kërkesës së jashtme dhe ngadalësimi i kërkesës së brendshme, në prani të një situate të shtrënguar likuiditeti, të kufizimit të financimit dhe të rritjes së pasigurisë.
Sipas të dhënave paraprake të INSTAT-it, rritja ekonomike për nëntëmujorin e parë të vitit rezultoi 4.9 për qind, kundrejt vlerës 7.8 për qind të shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja nën potencial e ekonomisë ka krijuar një ambient me presione përgjithësisht të reduktuara inflacioniste. Inflacioni vjetor në muajin dhjetor shënoi vlerën 3.5 për qind, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2.2 për qind.